Lidhje

OKB: ulja e vdekshmërisë tek fëmijët- ende e pamjaftueshme - 2004-10-10


Një raport i ri i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët tregon se përparimi i bërë në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve është shumë i ngadalshëm, megjithëse ka mënyra me kosto të ulta për ta bërë një gjë të tillë. UNICEF-i sapo ka botuar raportin mbi Përparimin për Fëmijët i cili radhit vendet sipas punës që kanë bërë për të shpëtuar jetët e tyre.

UNICEF-i thotë se 90 vende po bëjnë atë që duhet për të përmbushur objektivin e Kombeve të Bashkuara për të ulur vdekshmërinë e fëmijëve me dy të tretat deri në vitin 2015. Por ai shton se 91 vende të tjera konsiderohen se nuk po bëjnë sa duhet dhe se të gjitha vendet mund të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Në vitin 2002, viti i fundit për të cilin ka statistika bashkëkohore, raporti thotë se një në çdo 12 fëmijë në mbarë botën vdes para se të mbushë 5 vjeç. Ky është një përmirësim krahasuar me vitet 1960 kur 1 në çdo 5 fëmijë vdiste.

Megjithatë, drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, Rima Salah, thotë se kjo shifër përfaqëson 11 milionë vdekje në vit, shumica e të cilave mund të parandalohen. Ajo thotë se shanset e një fëmije për të mbijetuar varen nga vendi ku ai ose ajo lind.

“Në se një fëmijë lind tani në Evropë, ai do të mbijetojë, kurse ai që lind në Afrikën Nënsahariane ka rrezik më të lartë të vdesë para se të festojë 5 vjetorin e lindjes,,” tha zonja Salah.

Në vendet e industrializuara, thuhet në raport, çdo vit 7 në çdo 1 mijë fëmijë vdesin nën moshën 5 vjeçare, krahasuar me 158 për çdo 1 mijë fëmijë që vdesin në vendet në zhvillim. Raporti radhit Sierra Leonen, si vendin më problematik në botë, ku ndodhin më shumë se 280 vdekje për çdo 1 mijë fëmijë.

UNICEF-i thotë se kujdesi i pakët shëndetësor për nënat dhe mungesa e mamive të kualifikuara gjatë lindjeve janë faktorët që mund të përmirësohen për të parandaluar vdekjet. Në raport thuhet se sëmundjet parazite dhe infektive si fruthi dhe malaria janë ndër shkaktarët kryesor të vdekshmërisë.

Zonja Salah thotë se bota ka mjetet e duhura për të përmirësuar jetën e fëmijëve por nuk i përdor ato.

“Kemi shembuj që tregojnë se marrja e vitaminave A mund të shpëtojë mbi 25 mijë jetë njerëzish në vit ashtu si edhe terapitë kundër dehidratimit që mund të parandalojnë 1 milionë vdekje. Këtë e dimë të gjithë, programet e vaksinimit mund të mbrojnë jetët e gati 4 milionë fëmijëve. Por si mund të realizohet kjo kur 50 përqind e fëmjëve në Afrikën Qendrore dhe Perendimore nuk janë ende të vaksinuar,” tha zonja Salah.

Raporti për Përparimin e Fëmijëve thotë se shumë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, Amerikës Latine dhe Karaibeve, Azisë dhe Paqësorit po bëjnë përmirësime të dukshme në shkurtimin e vdekshmërisë së fëmijëve. Por mjerisht, numri i vdekshmërisë së fëmijëve po rritet në vend që të pakësohet në disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore, Azisë Jugore dhe Afrikës Nënsahariane.

XS
SM
MD
LG