Zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në Afganistan u zhvilluan dje pa incidente të rënda dhune, për të cilat kishin shprehur shqetësim disa zyrtarë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, por megjithatë, ato u mjegulluan nga polemika.
15 kandidatët që po konkuronin kundër Presidentit Hamid Karzai, u tërhoqën nga gara nga mesi i ditës, duke thënë se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Polemikat shpërthyen kur disa qendra votimi përdorën gabimisht bojë të rregullt që mund të fshihet me lehtësi, për të ngjyer gishtërinjtë e personave që mbaronin votimin. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se problemi u kap menjëherë dhe nuk do ta bëjë gjithë votimin të pavlefshëm.
Më pas, tre policë u vranë në provincën Uruzgan, kur ekstremistët sulmuan një autokolonë që po transportonte kuti votimi nga zgjedhjet e djeshme. Megjithë dhunën, autokolona mundi ta vazhdonte udhëtimin.
Pritet që rezultatet paraprake të bëhen të ditura vetëm pas dy apo tri ditësh. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve do të varet nga rezultatet e procesit hetimor rreth akuzave për mashtrim. //ib