Lidhje

Malaj: sfidat që kemi përpara janë afatgjata - 2004-10-04


Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore u dhanë dje fund takimeve të tyre vjetore mbi ekonominë botërore në Washington. Për të marrë pjesë në takime kishte ardhur edhe Ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Malaj, i cili dha një intervistë për "Ditarin".

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, çfarë takimesh keni zhvilluar në kuadrin e takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe a kanë qenë ato të frytshme?

Arben Malaj: Prania ime në këtë takim ka të bëjë me negociatat që po realizohen midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, lidhur me përgatitjen e buxhetit të vitit 2005 dhe njëkohësisht një sërë takimesh me drejtues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore. Më konkretisht një takim i drejtpërdrejtë ka qenë me nëndrejtorin për Evropën në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutua lidhur me hapat konkrete të cilat çojnë në një efiçencë më të madhe të përgatitjes së buxhetit, të grumbullimit të të ardhurave, të përdorimit të shpenzimeve, të një prioriteti në drejtim të investimeve publike dhe sidomos të vijueshmërisë së rezultateve pozitive në realizimin e një qëndrueshmërie fiskale në Shqipëri, pas krizës së vitit ’97. Momenti i dytë i rëndësishëm ka qenë takimi me zv/presidentin e Bankës Botërore ku u diskutua mbi programet konkrete që ka qeveria shqiptare me Bankën Botërore. Një vend të veçantë zë programi i reformave në drejtim të decentralizimit, një vend të rëndësishëm zë programi që ne kemi realizuar lidhur me ristrukturimin e sektorit financiar shqiptar dhe në mënyrë të veçantë u diskutua edhe për KAS-in, një dokument i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju keni qenë Ministër i Financave i Shqipërisë për dy herë rresht, një fakt që tregon për mbarëvajtjen e punëve në këtë Ministri. Me çfarë sfidash përballet aktualisht Ministria e Financave që ju drejtoni?

Arben Malaj: Duke vlerësuar faktin që Ministria e Financave është një nga ministritë më stabël në strukturat e qeverisë shqiptare, unë do të theksoja momentin që tashmë përballë saj qëndrojnë sfida më të plota sesa thjesht menaxhimi i situatave të krizave, por sidomos rritja e efiçencës së procesit të përgatitjes së buxhetit, rritja e efiçencës në grumbullimin e të ardhurave, programe konkrete të reduktimit të evazionit dhe të korrupsionit, programe më të qarta të investimeve publike, të cilat mbështesin zhvillimin ekonomik të vendit, pra në tërësinë e saj Ministria e Financave, është jo vetëm nxitësja e reformave, por në një farë mënyre edhe monitoruesja dhe asistuesja e reformave që realizohen në Ministritë e linjës për të arritur në një programim më të qartë të zhvillimit ekonomik të vendit, një lidhje më të mirë të strategjive kombëtare me burimet financiare dhe për më tepër një vizion afatgjatë që mbështet më mirë zhvillimin e vendit dhe partneritetin me sektorin privat.

Zëri i Amerikës: Organizatat e ndryshme ndërkombëtare janë shprehur vazhdimisht me shqetësim për korrupsionin në Shqipëri. Javën e kaluar në seancën e zhvilluar në Senatin amerikan, senatori Richard Lugar u shpreh me shqetësim se në Shqipëri ka korrupsion në qeveri, në biznes dhe në financa. Gjithashtu nga vrojtimet e bëra, rezulton se dy të tretat e popullatës në Shqipëri, besojnë që administrata shtetërore është e korruptuar, bile këtë fakt e kanë pranuar herë pas here edhe vetë autoritetet e larta shqiptare. Ju jeni ministër prej një kohe të gjatë, konkretisht në ministrinë tuaj a janë ndjekur penalisht pjesëtarë të administratës lidhur me korrupsionin?

Arben Malaj: Unë do të theksoja faktin që një vend si Shqipëria, me një tranzicion të shkurtër, me ristrukturim totalisht të sistemit të tij ekonomik dhe të sistemit financiar, me një vend që kalon në konsolidimin e institucioneve, sigurisht që është pozitiv fakti që vëmendja është përqendruar tek përmirësimi i qeverisjes dhe tek lufta kundër korrupsionit. Nuk do të bëja debatin e shifrave konkrete, por do të vlerësoja dy momente: e para vendi ka një strategji kombëtare ku do të ishte mirë që të ishte me pozitiv edhe përfshirja, por edhe impakti i të gjithë faktorëve politikë dhe socialë dhe e dyta nga një individ në tjetrin rezultatet vijnë duke u përmirësuar. Fokusimi tek mirëqeverisja, fokusimi tek lufta kundër korrupsionit do të rrisin dhe kanë dhënë impakte pozitive në kredibilitetin e qeverisë dhe në burimet e domosdoshme, ose të disponueshme të qeverisë. Nëse flasim për qeverinë e financave, e cila natyrshëm është në qendër të vëmendjes për sfidat që ka, do të vlerësoja faktin që bisedat tona edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe me Bankën Botërore edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Tiranë tashmë janë të qarta. Kërkohet një harmonizim më i mirë i politikave fiskale, i programeve të modernizimit të administratës fiskale dhe i investimeve në burimet njerëzore. Pikërisht në këtë kontekst ne jemi duke diskutuar edhe programe konkrete, projekte konkrete edhe me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe me përfaqësuesit e Korporatës Ndërkombëtare Financiare, për të ecur më shpejt në modernizimin e administratës fiskale, duke mbështetur më mirë edhe rezultatet pozitive të kohëve të fundit, ku ka një qëndrueshmëri më të mirë në grumbullimin e të ardhurave në buxhet, ka rezultate më pozitive në mallrat që konsiderohen mallrat e forta, të cilat janë pjesë e luftës kundër kontrabandës, siç janë nafta, karburantet, pijet, kafja dhe elementë të tjerë. Unë do të theksoja, që sfidat janë sfida afatgjata dhe kërkojnë një efiçencë më të madhe të të gjithëve. Sigurisht qeveria është ajo që merr përgjegjësinë maksimale dhe synon që rezultatet t’i ketë të qëndrueshme dhe afatgjata.

Zëri i Amerikës: Pavarësia e disa institucioneve të rëndësishme në Shqipëri nga politika, është një element mjaft i rëndësishëm si për zhvillimin e vendit, edhe për zhvillimin e një shteti demokratik. Konkretisht kohët e fundit në shtyp është shkruar vazhdimisht, lidhur me zëvendësimin e guvernatorit të Bankës Qendrore, Shkëlqim Cani nga një person tjetër duke thënë se kjo bëhet me motive politike. Sa të bazuara janë këto akuza që paraqiten në shtyp herë pas here?

Arben Malaj: Do të vlerësoja faktin që krijimi i kuadrit ligjor modern për Bankën Qendrore, bashkëpunimi dhe harmonizimi i politikave fiskale monetare gjatë këtij mandati 7 vjeçar, është vlerësuar nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Ajo që mendohej se duhej të menaxhohej më mirë ishte eliminimi i çdo vonese në konturimin mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë dhe zgjedhja në kohë e guvernatorit të Bankës Qendrore. Sigurisht që në të gjitha takimet që kam patur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore dhe institucione të tjera, realisht nuk e kam ndjerë shqetësimin e emrave konkretë që marrin përsipër mandatet konkrete. Më tepër efiçenca duhet në proceset dhe performancën e atyre që marrin përsipër përfaqësimin në këto institucione.

Zëri i Amerikës: Përse shtypi në Shqipëri e ngre me të madhe këtë çështje dhe ka shkruar vazhdimisht kohët e fundit?

Arben Malaj: Do të ishte pozitive që të gjitha hapat që ndërmerren në krijimin e institucioneve të pavarura, në rritjen e performancës së tyre, të mbeten investime afatgjata. Dhe unë shpresoj që edhe ndonjë vonesë e krijuar në këtë proces, pra vonesë në kohë dhe jo në cilësi, do të mund të kompensohet shumë shpejt dhe brenda muajit tetor të jenë të konturuara të gjitha autoritetet e Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe të vazhdojmë të kemi vlerësimin pozitiv për faktin që qeveria e respekton pavarësinë e Bankës Qendrore dhe për faktin që harmonizimi i politikave monetare dhe fiskale mbetet si të thuash thelbi i politikave ekonomike të zhvillimit të vendit.

XS
SM
MD
LG