Lidhje

Shqipëri: Konferenca Kombëtare e luftës kundër drogës - 2004-09-29


Në Shqipëri trafiku i drogës është një prej formave më të pranishme të krimit të organizuar. Vendi përdoret si një urë kalimi kryesisht të heroinës që vjen nga Afganistani e që futet nga Maqedonia e Kosova me destinacion vendet perëndimore, Italinë, Gjermaninë apo Zvicrën. Goditja e disa rrjeteve të trafikut të drogës kanë vërtetuar këtë itinerar dhe kanë dëshmuar njëkohësisht fuqinë financiare të këtyre grupeve.

Sipas prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku nëse shteti dhe qeveria nuk marrin masa për goditjen e këtij trafiku, ekziston rreziku që nëpërmjet pushtetit financiar grupet kriminale të kthehen në kontrollues apo zotërues edhe të pushteteve institucionale apo politike. Zoti Sollaku tha se nuk duhet toleruar begatinë e individëve që si bazë të pasurisë apo bizneseve të tyre kanë trafikun e drogës. Kryeprokurori Sollaku paralajmëroi edhe për rrezikun e shtrirjes së aktivitetit të trafikantëve në prodhimin e herojnës në vend apo dhe të elementëve për drogat sintetike:

"Veç trafikut të heroinës do të përmendja shqetësues prodhimin e bollshëm të canabis sativa veçanërisht në jug të vendit tonë. Deri më sot kjo është e vetmja lloj droge që rezulton e prodhuar ne vend, por shenja të prodhimit të bimës së heroinës, dhe dyshime mbi mundësinë e prodhimit të preklursorëve të disa drogave sintetike janë tashmë të shfaqura dhe përbëjnë formën e tretë e ndoshta më të rrezikshme të fenomenit".

Nga ana e tij kryeministri Fatos Nano deklaroi në konferencën e sotme kushtuar luftës kundër drogës se qeveria e tij ka angazhuar të gjitha strukturat kundër këtij fenomeni, kundër krimit të organizuar që e mbështet dhe veprimatarive ekonomike që burojnë apo furnizohen prej tij. Kryeministri kërkoi që të hiqet dorë nga përfitimi politik prej spekulimeve me drogën apo me luftën kundër saj, duke iu kundërpërgjigjur kështu akuzave të shpeshta të opozitës se strukturat shtetërore mbrojnë dhe zhvillojnë trafikun.

“Kjo e keqe ekziston, nuk ka nevojë as t’i faturohet nga njëri krah i politikës tjetrit, as të luhet me të në kurriz të imazhit të vendit. Natyrisht e përjashtoj në mënyrë kategorike tolerancën ndaj cilitdo që ofron mbrojtje politike trafikantëve, kriminelëve të organizuar apo grupeve informale të shoqërisë që qëllojnë mbi oficertë tanë të luftës antikrim apo mbi oficerët e vendeve partnere që janë angazhuar në këtë luftë”.

Ministri i Rendit Igli Toska përsëriti faktin se Shqipëria dhe rajoni janë rrugë tranziti për trafikantët dhe se vendi po penalizohet edhe për shkak të dobësiove të vendeve të tjera:

“Imazhi ynë paguan padrejtësisht edhe për dobësitë dhe mosfuknsionimin e mirë që vihet re në një seri shtetesh ku droga depërton derisa vjen te ne. Prandaj ashtu siç u theksua në konferencën Anti –Drogë të Parisit, vitin e kaluar ku “shtetet duhet të aplikojnë parimin eksluziv të bashkëpërgjegjësisë”. Ashtu si trafikantët funksionojnë pa burokraci ndërmjet tyre, ashtu edhe ne duhet të heqim barrierat burokratike të të komunikuarit, duke rritur bashkëpunimin me më shumë informacion, më shumë profesionalizëm, më shumë vullnet”.

Qeveria shqiptare e ka cilësuar vitin 2004 si vitin e luftës kundër drogës. Krahasuar me periudhat e mëparshme rezultatet në zbulimin dhe goditjen e grupeve kriminale janë më të larta. Ministri i Rendit, Igli Toska, tha se është bërë i mundur reduktimi i sipërfaqeve të mbjella me marijuanë. Vetëm gjatë këtij viti janë asgjesuar mbi 69 mijë rrënjë dhe janë sekuestruar mbi 1700 kilogram. E konsiderueshme edhe sasia e heroinës që është zbuluar. Por sasitë e drogës së fortë të nisur nga Shqipëria dhe zbuluar nga policia italiane dëshmojnë ende për një prani të ndjeshme të rrjeteve të trafikut. Vetëm pak kohë më parë brenda një dite në dy qytete të ndryshme të vendit u sekuestruan 32 kilogram heroinë që kishin si destinacion Italinë. ***kh***

XS
SM
MD
LG