Lidhje

SHBA: Uragani Jeanne godet brigjet lindore të Floridës - 2004-09-26


Uragani Jeanne po godet brigjet lindore të shtetit Florida me erëra që kapin një shpejtësi prej 90 kilometrash në orë dhe gjendja pritet të keqësohet.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar thotë se paralajmërimet për uraganin janë tashmë në fuqi për pothuajse të gjithë vijën bregdetare të oqeanit Atlantik të Floridës dhe autoritetet kanë evakuuar miliona njerëz që banojnë në zonën që pritet të preken nga uragani.

Metereologët thonë se stuhia u intensifikua ndërsa godiste dje Bahamat dhe aktualisht është klasifikuar si një uragan i shkallës së tretë.

Uragani Jeanne shkaktoi përmbytje dhe dëme të mëdha në vargun e ishujve, duke ndërprerë energjinë elektrike në disa zona.

Gjatë shtatë javëve të fundit, tre uraganë të tjerë kanë goditur Floridën, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 70 personave dhe dëme prej miliarda dollarësh. Florida është shteti i parë amerikan i goditur nga katër uraganë brenda një stine, që nga viti 1886 kur një gjë e tillë ndodhi në Teksas.

XS
SM
MD
LG