Lidhje

Nënpresidentin Dick Cheney do të riemërohet për një mandat të dytë - 2004-09-01


Presidenti Bush thotë se Dick Cheney është nënpresidenti më i zoti që ka patur ndonjëherë Amerika. Ai e di se ç’thuhet për kandidatin për nënpresident që kanë zgjedhur demokratët, si alternativë ndaj zotit Cheney: John Edwardsin e ri dhe karizmatik, por presidenti thotë se këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë konkurs bukurie.

“Jam krenar që konkurroj së bashku me Dick Cheneyn. Unë e pranoj që ai nuk është kandidati më i pashëm në garë. Unë nuk e zgjodha për pamjen e jashtme, por për gjykimin dhe përvojën e tij. E zgjodha sepse bën punën”.

Richard Bruce Cheney ka 40 vjet që punon në Washington. Ai filloi karrierën si ndihmës në administratën e Presidentit Nixon dhe u bë shefi më i ri i spersonelit që ka parë ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, në moshën 34 vjeçare për Presidentin Gerald Ford.

Zoti Cheney ka qenë për 10 vjen përfaqësues i shtetit Wyoming në Kongres, duke u bërë një nga konservatorët socialë më të besueshëm të administratës së Presidentit Reagan.

Ai dhe e shoqja etij Lynne, me të cilën zoti Cheney është njohur që në shkollë të mesme, u kthyen në një çift të fuqishëm republikanësh.

Zoti Cheney ishte Sekretar i Mbrojtjes gjatë administratës së Presidentit Bush gjatë Luftës së Parë të Gjirit në vitin 1990. 10 vjet më pas, fakti që e njihte udhëheqësin irakian, e vuri zotin Cheney në vijën e parë të fushatës së administratës për përmbysjen e Saddam Husseinit dhe për të nxjerrë në pah lidhjen e tij me sulmet e 11 shtatorit.

“Interesimi i Sadam Huseinit për armët e shkatërrimit në masë, paraqet një rrezik të madh jo vetëm për fqinjët e tij, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Regjimi i tij ndihmon dhe mbron terroristët, përfshirë anëtarë të al-Kaidës”.

Kanë kaluar 18 muaj që nga rënia e Bagdadit dhe në Irak nuk është gjetur asnjë armë e shkatërrimit në masë.

Ndërsa Presidenti po e mbron ndërhyrjen në Irak, nënpresidenti Cheney është hedhur në sulm duke kritikuar kandidatët demokratë për president dhe nënpresident, të cilët që të dy votuan në favor të përdorimit të forcës në Irak.

“Senatori Kerry dhe Senatori Edwards, po e kritikojnë presidentin se kishte shqyrtuar po atë informacion, që kishin edhe ata, dhe sepse arriti në të njëjtin përfundim që kishin arritur ata. Nëse presidenti kishte të drejtë dhe në fakt ai kishte të drejtë, atëherë ata thjesht po përpiqen ta rishkruajnë historinë për qëllimet e tyre politike”.

Kundërshtarët demokratë thonë se nënpresidenti ka ndikim të tepruar në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Bush.

Por analisti John Fortier i Institutit amerikan Enterprise thotë se lufta kundër terrorizmit u ka dhënë fund zërave për një presidencë kukull, se gjoja lëvizjet i dikton në fakt zoti Cheney.

“Mendoj se 11 shtatori e vërtetoi përfundimisht se zoti Bush është një udhëheqës i fortë. Sigurisht që Cheney është shumë i rëndësishëm, ndoshta këshilltari më i rëndësishëm i presidentit, por ai nuk ia ul rëndësinë Presidentit Bush”.

Para se të bëhej nënpresident, zoti Cheney kishte fituar mbi 44 milionë dollarë si shef i kompanisë së naftës dhe gazit, Halliburton.

Kjo firmë ka fituar kontrata që kapin shumën 18 miliardë dollarë në Irak. Disa prej këtyre kontratave po hetohen nga Pentagoni për mbi 16 milionë dollarë në fatura të ekzagjeruara për ushqimet e trupave.

Por nënpresidenti thotë se nuk ka të bëjë fare me kontratat e Halliburtonit.

Nënpresidenti që njihet për besnikërinë e tij ndaj shefit, ka dalë kundër tij publikisht të paktën për një çështje: martesën mes personave të të njëjtit seks.

Një nga vajzat e tij është homoseksuale dhe ai është shprehur se liri për të, do të thotë liri për gjithkënd. Presidenti Bush ka bërë thirrje për një amendament kushtetues që do të ndalonte martesën mes personave të së njëjtit seks.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Bush i respekton pikëpamjet e zotit Cheney dhe i quan zërat për ndonjë shkëputje të mundshme, pjesë të histerisë së fushatës, në një garë të ashpër.

//ze//

XS
SM
MD
LG