Lidhje

Hapet zyrtarisht Kuvendi Kombëtar Republikan  - 2004-08-30


Një ditë pas protestave masive afër vendit ku po zhvillohet kuvendi në Madison Square Garden, republikanët filluan sot punimet. Gjatë tubimit të tyre katër-ditor anëtarët e partisë do të riemërojnë presidentin Bush për herë të dytë në postin e presidentit. Ndër personat që do të flasin sonte është edhe ishte ish-kryetari i bashkisë së New York-ut Rudi Guliani, i cili drejtoi qytetin pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, një ish rival i presidentit Bush brenda partisë do t’u drejtohet delegatëve: senatori i Arizonës John McCain, të cilin Zoti Bush e mundi gjatë garave paraprake presidenciale para 4 vitesh.

Zoti McCain njihet brenda partisë së tij si person që nuk ka frikë t’i shfaqë publikisht mospajtimet e tij me republikanët e tjerë. Ai është shumë popullor mes votuesve të pavarur, një grup i rëndësishëm që vlerësohet shumë si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët.

Duke folur për një program në televizionin CBS, senatori McCain tha se ai nuk është i një mendjeje me presidentin Bush për çdo çështje, megjithatë ai e mbështet presidentin plotësisht.

”Unë e mbështes presidentin Bush për aftësinë që ka treguar në udhëheqjen e vendit gjatë kësaj periudhe të luftës kundër terrorizmit. Unë besoj se ne, kemi arritur të heqim qafe disa kundërshtarë nëpër botë.”

Mijëra pjesëtarë të forcave të sigurimit nga më shumë se 20 agjenci federale, shtetërore dhe lokale janë mobilizuar për sigurimin e kuvendit në qendër të New York-ut. Zyrtarëve të qytetit, pavarësisht nga shtimi i qarkullimit rrugor, problemeve të ndryshme të banorëve dhe çmimeve të ngritura, kuvendi u paraqet një mundësi të mirë për të treguar vendosmërinë e New York-ut pas sulmeve të 11 shtatorit.

//ze//

XS
SM
MD
LG