Të paktën 7 veta humbën jetën nga shpërthimi i një makine bombë pranë zyrave të një firme amerikane sigurimi në kryeqytetin e Afganistanit.
Në një deklaratë të Presidentit Hamid Karzai thuhet se mes të vrarëve ishin 2 amerikanë, tre nepalezë dhe dy afganë. Një prej afganëve të vrarë ishte fëmijë.
Firma private amerikane Dyncorp, siguron roje personale për presidentin afgan Hamid Karzai.
Regjimi i përmbysur taleban mori përgjegjësinë për sulmin e djeshëm.
Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se siguruan ndihmë urgjente mjekësore për të plagsurit. Ata dënuan sulmin dhe thanë se do të ndihmojnë zyrtarët vendorë në procesin hetimor.
Shpërthimi ndodhi një ditë pasi zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se një shpërthim në Afganistan juglindor, shkaktoi vdekjen e të paktën 9 fëmijëve dhe një të rrituri në një shkollë fetare në provincën Paktia. 15 vetë u plagosën.