Në Athinë, policia përdori gaz lotësjellës kundër qindra demonstruesve, të cilët po përpiqeshin të marshonin në drejtim të ambasadës amerikane në shenjë proteste kundër vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Kolin Pauëll, në kryeqytetin grek. Disa demonstrues mbanin pankarta në shenjë proteste ndaj pushtimit të Irakut nga koalicioni i udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Marshimi filloi në mënyrë paqesore, por kur demonstruesit u përpoqën të marshonin në një nga rrugët kryesore të Athinës në drejtim të ambasadës amerikane, ata u bllokuan nga forca të posaçme policore.
Qeveria greke e kishte bërë të qartë para demonstratës se do t’i lejonte qytetarët të shprehnin pikëpmajet e tyre, por nuk do të lejonte çrregullim. Zyrtarët ishin veçanërisht të shqetësuar se demonstruesit mund të përpiqeshin të bllokonin rrugët e caktuara për lëvizjen e sportistëve pjesëmarrës në olimpiadë dhe personalitetet e huaja.
Sekretari Pauëll, i cili mbërrin sot në Athinë, ka në plan të zhvillojë takime me udhëheqësit grekë dhe të marrë pjesë nesër në ceremninë e mbylljes së lojrave olimpike.
Protestuesit që mbanin pankarta, në të cilat thuhej “Pauëll largohu”, u përleshën me forca policore para parlamentit grek. Kur demonstruesit u përpoqën të çanin kordonin policor, policia u përgjigj duke përdorur gaz lotsjellës. Më pas, demonstruesit filluan të shpërndahen dhe policia thotë se nuk ishin bërë arrestime.
Greqia priste me padurim për t’i treguar botës gjatë Lojrave Olimpike se Athina ishte e sigurt. Nën trysninë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ajo instaloi një sistem sigurimi të teknologjisë së lartë prej miliona dollaësh, duke vendosur më shumë se një mijë kamera dhe dedektorë të tjerë në gjithë qytetin për të kapur lëvizje të dyshimta.
Shumë grekë thonë se sistemi i sigurimit, i instaluar nga një grup vendesh i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, ishte tepër i kushtueshëm dhe i panevojshëm. Greqia ka mobilizuar edhe një forcë prej 70 mijë policësh dhe ushtarësh për të mbrojtur lojrat.
Grekët që përjetuan diktaturën e ashpër ushtarake nga viti 1967 deri në vitin 1974, u kushtojnë rëndësi të veçantë lirive të tyre civile dhe të drejtës për të protestuar. Sipas anketave të opinionit, shumica e grekëve kundërshton politikën e jashtme amerikane, veçanërisht ndërhyrjen ushtarake në Irak dhe atë që ata e shikojnë si mbështetje të Washingtonin për shtypjen izraelite të palestinezëve.
Partia Komuniste e Greqisë thotë se do të organizojë nesër edhe një demonstratë tjetër kundër Sekretarit Pauëll.