Lidhje

Kryeadministratori Petersen: gjendja e përkohshme  ka një kufi - 2004-08-17


Kryeadministratori i ri i UNMIK-ut, Sorren-Jessen Petersen, tha sot pasdite në Prishtinë se puna e tij në Kosovë do të bazohet në disa çështje kryesore, në sigurinë për të gjithë përfshi edhe pakicat, si bazë për gjithçka që bëhet këtu; në nevojën për dialog me institucionet e përkohshme dhe dialog të brendshëm midis komuniteteve; dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje me interes për qytetarët; marrja parasysh e shqetësimeve të vendeve rajonale, krijimi i një pajtimi ndërkombëtar për atë që bëhet në Kosovë, transferimi i përgjegjesive nga administrata ndërkombëtare në atë vendore edhe në fusha të tjera, partneriteti me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, decentralizimi i pushtetit, plotësimi i standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik.

Zoti Petersen që paraqiti sot në një formë të shkurtër programin e tij të punës në krye të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, u shpreh se ndërkohë që institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes do të rriten, kompetencat e UNMIK-u do të pakësohen.

Ai bëri disa komente të drejtpërdrejta që kishin të bënin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pakicës serbe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit, marrëdhëniet me institucionet e përkohëshme të vetëqeverisjes, marrëdhëniet me Beogradin, dhe mënyrën e drejtimit të UNMIK-ut.

Duke ritheksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit, zoti Petersen nënvizoi se kushdo që vendos të mos marrë pjesë në këto zgjedhje, vendos kështu duke marrë parasysh vetë rrezikun.

Në lidhje me marrëdhëniet me institucuonet e përkohëshme të vetëqeverisjes, ai nënvizoi se do të ketë partneritet me to, ndërkohë që për çështjen e decentralizimit të pushtetit, vuri në dukje se vetëqeverisja është një vetëqeverisje në Kosove.

Kryeadministratori i ri nënvizoi gjithashtu se do t’i japë UNMIK-ut një qëllim, drejtim dhe energji të re, dhe shtoi se nuk do të ketë më 5 vjet të tjerë për të arritur në një zgjidhje të problemit. Ai theksoi se procesi duhet të përshpejtohet dhe se ka një kufi se sa gjatë mund të ruhet një gjendje e përkohshme.

Ai pohoi se paraardhësit e tij kishin qenë në një pozitë të vështirë pikërisht për këtë. Zoti Petersen vuri gjithashtu në dukje kohën që ka mbetur deri në rishikimin e plotësimit të standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare dhe diskutimin e statusit përfundimtar të Kosovës.// lk //

XS
SM
MD
LG