Pas paralajmërimeve të kohëve të fundit lidhur me rritjen e shkallës së kërcënimeve terroriste, dje Presidenti Bush bëri të njohur zgjedhjen e tij për Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit. Shpallja e emërimit të zyrtarit të lartë të CIA-s bëhet në një kohë kritike për agjencitë e zbulimit.
Presidenti Bush emëroi ligjvënësin Porter Goss në postin e Drejtorit të CIA-s. Zoti Goss është Kryetari i Komisionit të Zbulimit dhe ai ka qenë oficer i CIA-s. Duke folur në Kopështin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Bush e vlerësoi lart eksperiencën e ligjvënësit Goss në fushën e zbulimit.
“Ai e njeh mirë CIA-n. Ai është personi i duhur për të drejtuar këtë agjenci të rëndësishme në këto momente kritike të historisë së vendit tonë”.
Ligjvënësi Goss edhe më parë është përmendur si një pasues i mundshëm i drejtorit të CIA-s George Tennet, që u largua nga agjencia mes kritikave lidhur me mënyrën e trajtimit të informacioneve para luftës në Irak. Presidenti Bush tha se zoti Goss është reformator dhe se ai do të kërkojë këshillën e tij lidhur me zbatimin e rekomandimeve të komisionit që merret me sulmet terroriste të 11 shatorit ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Unë i pres me kënaqësi këshillat dhe gjykimet e tij lidhur me zbatimin sa më mirë të reformës së zbulimit, duke përfshirë edhe rekomandimet e komisionit 11 shtatori”.
Presidenti Bush tashmë ka mbështetur një propozim të rëndësishëm të komisionit: krijimin e postit të një drejtori të zbulimit, që të mbikqyrë veprimtarinë e të gjitha agjencive qeveritare të zbulimit. Në rast se ky post do të miratohet, Drejtori i CIA-s do të kishte më pak pushtet nga sa ka aktualisht.
Javën e kaluar, ligjvënësi Goss paralajmëroi të mos merren masa të nxituara në bazë të rekomandimeve të Komisionit.
“Ne nuk mundet të bëjmë ndryshime në mënyrë të verbër, ose me nxitim. Në këto kushte, do të thosha se janë të dëmshme si gjykimet e nxituara, edhe vonesat e panevojshme”.
Anthony Arend, ekspert i Ligjit Ndërkombëtar në Universitetin Georgetown të Washingtonit, thotë se rindëritmi i moralit në CIA do të jetë sfida më e madhe për zotin Goss.
“Unë jam i mendimit se ai do të shpenzojë një pjesë të mirë të kohës me Drejtorin e Operacioneve, Drejtorin e Zbulimit, në përpjekje për t’i siguruar njerëzit se CIA ka një të ardhme dhe për t’u marrë me problemet e brendëshme të agjencisë”.
Shumë ekspertë mendojnë se emërimi i zotit Goss bëhet në një moment tepër të rëndësishëm. Pas sulmeve terroriste të marsit në Madrid, ka shqetësime se terroristët mund të kryejnë sulme të ngjashme në Shtetet e Bashkuara për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor. Zoti Goss thotë se si ai, edhe CIA do ta kryejnë siç duhet detyrën.
“Ajo që nuk kuptojnë mirë një numër i madh amerikanësh, është se në mbarë botën ne kemi një numër të madh njerëzish që punojnë me orë të zgjatura dhe në situata tepër të vështira”.
Para se Porter Goss të fillojë punën në postin e ri, kandidatura e tij duhet të miratohet nga Senati i Shteteve të Bashkuara.
//ze//