Lidhje

Porter Goss emërohet si Drejtor i CIA-s - 2004-08-10


Presidenti Bush emëroi ligjvënësin e Floridës, Porter Goss për postin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s. Zoti Goss ka disa dekada përvojë në organizatat e zbulimit dhe ai është një përkrahës i fuqishëm i reformave.

Presidenti Bush tha se Porter Goss është personi ideal për postin e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit në kohë turbullirash dhe ndryshimesh.

Ai e njeh mirë punën e agjencisë dhe e di se çfarë nevojitet për forcimin e saj, tha presidenti.

Ligjvënësi Goss është Kryetar i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, por politika është karriera e tij e dytë. Para se të merrte pjesë në garën për post publik për herë të parë në vitin 1988, ai ishte marrë me problemet e zbulimit. Ai ka punuar si për zbulimin në ushtri, edhe për Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA-n, para se të detyrohej të dilte në pension për arsye shëndetërore.

Ai ka punuar si agjent i fshehtë i CIA-s në dy kontinente. Ai do të marrë masa që punënjësit e CIA-s të kenë kushtet dhe mundësitë e duhura për të penetruar objektivat e vështirat dhe ato zona ku deri tani nuk janë futur dot, që ta njohin sa më mirë armikun, thotë Presidenti.

Porter Goss ka qenë kandidatura kryesore për zëvendësimin e ish-drejtorit të CIA-s George Tennet, që u largua mes kritikave në rritje lidhur me mënyrën e trajtimit të informacionit të zbulimit para sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe mbi luftën në Irak.

Ligjvënësi Goss ishte njëri prej personave që u shprehën me kritika për Agjencinë dhe ai luajti rol kyç në hartimin e raportit të Kongresit, sipas të cilit, rrjeti i spiunazhit i agjencisë, nuk funskiononte siç duhej. Ai thotë se përparësia e tij do të jetë ndërtimi i kapacitetit njerëzor të zbulimit të CIA-s.

Njerëzit janë esenca e kapacitetit tonë të zbulimit. Ne kemi një numër amerikanësh të shkëlqyer që punojnë mjaft mirë në këtë fushë. Unë kam qenë një prej tyre, kur punoja për CIA-n. Jam mjaft krenar që do të kem të bëj përsëri me ta dhe pres me kënaqësi sfidat e së ardhmes, tha zoti Goss.

Emërimi i tij duhet të miratohet tani nga senati. Zoti Goss është njeri i respektuar dhe gëzon simpati në radhët e ligjvënësve, por seanca për miratimin e tij mund të marë edhe tone partiake. Lidhjet e tij me Partinë Republikane mund të krijojnë problem për ligjvënësit, të cilët duan që në këtë post të zgjidhet një person jo-partiak. Thuhet se disa zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë shqetësohen lidhur me seancat për miratimin e tij që do të zhvillohen në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Por ligjvënësi Goss tha se ai nuk shqetësohet për procesin e konfirmimit të tij. Si ligjvënës, e di mirë vlerën dhe rëndësinë e miratimit në Senat, tha ai.

Në se miratohet nga Senati, Porter Goss do të jetë vetëm drejtori i dytë i CIA-s që zgjidhet nga radhët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. I pari ishte babai i presidentit aktual, ish-presidenti George Bush.

XS
SM
MD
LG