Lidhje

Shqipëri: Kush do të zgjidhet kryetar i kontrollit të shtetit? - 2004-08-10


Dy vjet më parë marrëveshja mes zotit Nano dhe zotit Berisha që solli zgjedhjen e presidentit të Republikës, Alfred Mosiu, parashikonte edhe që kryetari i kontrollit të shtetit t’i jepej partisë më të madhe të opozitës. Kjo pikë nuk u zbatua asnjëherë.

Fillimisht pati një lëvizje nga kryeministri Fatos Nano për të interpretuar disa nene që kishin të bënin me zgjedhjen e kryetarit të kontrollit të shtetit, por më pas gjithshka u la në harresë. Tashmë për partinë demokratike kjo marrëveshje nuk ekziston më. Për këtë arsye ajo kërkon nga presidenti Moisiu që me emërimin e kryetarit të ri të mos e përdori atë pikë si një alibi për propozimin e një kandidature që vetëm formalisht do ti përkiste opozitës.

Partia Demokratike kërkon që të mos përsëritet e njëjta gjë që ndodhi 7 vjet më parë me kryetarin aktual Mustafa Kërcuku, i cili vetëm se i përkiste një partie të vogël të së djathtës por që në të vërtetë nuk mori mbështetjen e opozitës. Kryetari i partisë demokratike Sali berisha tha sot se një lojë e tillë do të ishte një akt i turpshëm, një shpikje primitive pseudopluraliste.

Zoti Berisha tha se partia e tij do të mbështeste një kandidaturë që plotëson kriteret ligjore dhe që është jashte kurtheve politike.

“Në rast se nuk bëhet lojë politike ne kemi detyrimin që të njohim ndarjen e pushteteve. Ne kemi votuar në tërësi dekretet e presidentit sepse kemi respektuar ndarjen e pushteteve. Duke përjashtuar lojën politike është e drejtë kushtetuese e presidentit të propozojë kandidatin dhe është detyrë e jona nëse është në përputhje me kriteret ligjore, që ta votojmë”.

Paralajmërimet e partisë demokratike vijnë në një kohë kur zyrtarisht nga presidenca nuk ka asnjë emër, përveçse atyre që qarkullojnë në shtyp. Ka shumë mundësi që presidenti t’i hedhë më shumë sytë nga një figurë e paangazhuar politikisht e që do të kishte më shumë shanse që të kalonte pa përplasje.

Kreu i shtetit vazhdon të gjendet mes dy zjarreve. I sulmuar hapur nga opozita që e akuzon atë se e ka kthyer presidencën në një institucion të kontrolluar nga Fatos Nano, presidneti Moisiu vetëm gjatë muajit korrik dështoi me dy propozimet e tij për një anëtar të gjykatës kushtetuese dhe një tjetër të Këshillit Kombëtar të radiotelevizioneve. Të dy emrat e dërguar prej tij në parlament u rrëzuan nga partia socialiste.

//ze//

XS
SM
MD
LG