Lidhje

Murati: decentralizimi - në interes të të gjithë popujve të Maqedonisë - 2004-08-04


Grupi Ndërkombëtar i Krizave publikoi dje raportin e saj për Maqedoninë. Raporti paralajmëron se megjithë përparimet, tensionet ekzistuese vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për mbijetesën e shtetit të Maqedonisë. Në raport thuhet se miratimi i planit për decentralizimin, që synon t’u japë shqiptarëve rol më të madh në pushtetin lokal, është një provë për përkushtimin e këtij vendi në zgjidhjen e tensioneve ndëretnike. Plani i decentralizimit ka hasur në kundërshtimin e mijëra maqedonasve, të cilët thonë se ai ndan dhe nuk bashkon vendin. Në raport thuhet se qëndrueshmëria në Maqedoni është tepër e rëndësishme për të siguruar qëndrueshmërinë në mbarë rajonin e Ballkanit. Raporti gjithashtu i bën thirrje Bashkimit Evropian të rrisë mbështetjen ndaj Maqedonisë. Për të biseduar për këto çështje, Zëri i Amerikës intervistoi profesorin e Universitetit të Shkupit dhe në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës, Xheladin Murati.

Zëri i Amerikës: Zoti Murati, sa e kërcënojnë paqen e brishtë dhe qëndrueshmërinë në Maqedoni protestat e fundit të opozitës maqedonase, të cilat po zhvillohen edhe sot në Shkup?

Prof. Xheladin Murati: Unë mendoj se qëndrueshmëria e paqes në Republikën e Maqedonisë varte nga stabiliteti politik dhe ai social i qytetarëve të saj. Protestat, të cilat janë zhvilluar kohët e funidt, me organizmin e opozitës maqedonase, nuk bëjnë bujë dhe nuk rrezatojnë ndryshime qenësore në politikën e pushtetit aktual në Republikën e Maqedonisë. Mendoj se protestat ishin vetëm një farsë për të treguar se opozita nuk pajtohet me propozimin e ligjeve, të cilat kanë për qëllim decentralizimin e pushtetit, ose transferimin e pushtetit të njësitë më të ulëta vendore.

Zëri i Amerikës: Prirja e sotme është ajo e decentralizmit të pushtetit qendror drejt pushtetit lokal. Mund të përmend këtu Shtetet e Bashkuara, një shembull suksesi në këtë fushë. Nëse decentralizimi çon në rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve financiare dhe në shërbimin më të mirë të qytetarëve, a mendoni se tendencat nacionaliste dhe ektremistët po bëhen pengesë për zhvillimin?

Prof. Xheladin Murati: Këtu kemi dy qëndrime: e para kemi qëndrimin, i cili lufton për decentralizimin dhe transferimin e pushtetit në nivele më të ulëta, dhe të dytët, të cilët janë kundër decentralizmit të pushtetit. Gjykoj se decentralizimi nuk është qëndrim, por është proces, i cili do të zgjasë dhe do të ketë sfida të reja për republikën dhe qytetarët e saj. Mirëpo, në fakt, decentralizimi i pushtetit në Maqedoni në të gjitha veprimtaritë e saj, në të gjitha fushat e jetës realizohet mbi bazën e amendamenteve kushtetuese të vitit 2001; ai realizohet mbi bazën e marrëveshjes-kornizë të Ohrit; realizohet mbi bazën e ligjit për qeverisjen vendore, mbi bazën e ligjit për financimin e njësive vendore të Republikës. Decentralizimi realizohet mbi bazën e ndarjes territoriale të organizimit të Republikës së Maqedonisë, që aktualisht po diskutohet në Parlamentin e saj; decentralizimi është në funksion të afirmimit të qytetarit dhe të njësive të tij, në funksion të afrimit të vendosjes së qytetarëve në të mirën e tyre dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe. Unë besoj se me decentralizimin do të arrihet një stabilitet, demokraci dhe zhvillim i republikës së Maqedonisë, që është në interesin e të gjithë popujve që jetojnë atje.

Zëri i Amerikës: Përse ekstremistët nacionalistë kanë frikë nga decentralizimi?

Prof. Xheladin Murati: Ekziston një politikë, e cila thotë, se ndarja, ose organizimi territorial i Republikës së Maqedonisë është bërë mbi baza etnike. Kjo nuk ka të bëjë me të vërtetën. Një organizim i tilllë territorial i republikës së Maqedonisë është bërë natyrshëm, ashtu siç janë shpërndarë ndarja e popullit shqiptar në republikën e Maqedonisë dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe nuk ka asgjë artificiale në ndarjen dhe formimin e komunave të reja, ku duhet të vendoset qeverisja lokale, ose realizimi i politikës decentralizuese të tyre. Prandaj, nuk shoh asgjë të keqe dhe nuk pajtohem me faktin se ndarja territoriale dhe decentralizimi shkon në disafavor të popullin maqedon dhe në favor të popullit shqiptar.

Zëri i Amerikës: A tregojnë ngjarjet e fundit se Maqedonia është ende larg së qeni një shoqëri që pranon bashkëpunimin dhe bashkëjetesën e grupeve të ndryshme etnike?

Prof. Xheladin Murati: Mendoj se Maqedonia do të vazhdojë të mbijetojë kështu siç është, ndryshe çdo gjë shkon në disfavorin e saj dhe popullit të saj. Ndryshe, nuk shoh arsye që të shpërbëhet republika e Maqedonisë, por shoh arsye që ajo të mbetet kështu. Ndryshe do të jetë më e vështirë, në mos e pamundur të arrihet paqja dhs zhillimi i qëndrueshëm në republikë dhe më gjerë, në rajon. Prandaj, propozimet për të ndryshuar politikën e saj nga ana e opozitës, nuk shkojnë në favor dhe në të mirë të qytetarëve, por shkojnë në favor të ndarjes në kufij etnikë dhe në këtë zhvillim nuk e ndihmojnë në krijimin e një shoqërie multietnike dhe përgatijen e rajonit drejt së ardhmes së saj evropiane. Në të njëjtën kohë, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët, ata që duan të mirën dhe janë përcaktuar për statusin demokratik të Republikës së Maqedonisë, duhet të luftojnë, duhet të angazhohen për realizimin e koncepteve të drejta, ku të gjithë popujt të jenë të barabartë, ku njerëzit të realizojnë ëndërrën e tyre për të qenë të lirë, demokratë.

Zëri i Amerikës: Në raport thuhet se partitë politike në Maqeodni vazhdojnë të jenë një hallkë e dobët në sistemin demokratik. Në zgjedhjet vendore që do të mbahen në vjeshtë, a pritet që partitë shqiptare të dalin me një marrëveshje për këto zgjedhje?

Prof. Xheladin Murati: Aktualisht, ekzistojnë jo dilema, por ka marrëveshje midis partive politike shqiptare, të cilat duhet të organizohen në atë mënyrë, që të paraqesin një front të fuqishëm politik të organizuar, për të dalë shumë më të fortë dhe me korrektësi në zgjedhjet, që të mos ketë të humbur dhe të fituar, por të fitojnë ata, të cilët e meritojnë të udhëheqin qytetarët dhe popullin që jeton në Maqedoni. Njohuritë e mija janë se opozita shqiptare po organizohet të dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale, mirëpo zgjedhjet kanë kohë edhe një muaj të mbahen, prandaj mendoj se do të ketë ndryshime edhe në strukturën e veprimit politik të shqiptarëve në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG