Lidhje

Lojrat Olimpike verore pritet të nxisin turizmin në Greqi - 2004-08-01


Lojrat Olimpike verore që do të zhvillohen në Athinë nuk pritet t’i sjellin Greqisë ndonjë fitim, përkundrazi do ta fusin në borxhe deri në 1 presje 7 miliard dollarë. Por autoritetet greke thonë se ka përfitime të tjera. Për shembull, organizimi i lojrave olimpike i jep mundësi Greqisë të konkurojë për një volum më të madh turizmi në tregun ndërkombëtar. Janis Lapas punon si ndihmës menaxher në një hotel dhe thotë se lojrat olimpike shënojnë fillimin e një epoke të re turizmi.

“Njerëzve do t’u lindë dëshira të vizitojnë vendin tonë, gjë që mund të mos e kishin bërë nëse s’do të ishin organizuar Lojrat këtu,” thotë zoti Lapas.

Yanis punon për Grecotel, rrjeti më i madh i hoteleve në Greqi, i cili kohët e fundit hapi 8 hotele të reja përfshirë edhe këtë kompleks luksoz në periferi të Athinës për të mirëpritur tifozët që vijnë këtu për të ndjekur Olimpikun.

“Që tani në hotelet tona, një numër i konsiderueshëm dhomash janë prenotuar. Disa prej hoteleve janë të mbushur dhe parashikojmë që deri në fillimin e lojrave të mos kemi dhoma bosh. Shpresojmë që kjo prirje të vazhdojë edhe në të ardhmen,” thotë Yanis Lapas.

Bashkia e Athinës po angazhohet për ta zbukuruar dhe përmirësuar qytetin për vizitorët. Me afrimin e Lojrave Olimpike, punëtorët po shpejtojnë të mbarojnë riparimet në sheshet publike, asfaltimin e 100 kilometrave rrugë dhe mbulimin e gjërave të pariparueshme. Kjo i ka kushtuar buxhetit qeveritar 150 milion euro. Kryetarja e Bashkisë së Athinës Dora Bakojanis thotë se borxhet e marra për riparime do të mbulohen nga turizmi.

“Përvoja ka treguar se qytetet që kanë organizuar Lojra Olimpike kanë një volum të madh turizmi në vitet që pasojnë. Athina është tani gati të bëhet një qendër turistike përsëri,” thotë Kryetarja e Bashkisë.

Janë kryer studime që kanë arritur në përfundimin se kostoja e organizimit të Lojrave Olimpike është më e madhe se biznesi që krijon. Por profesori Theodore Liannos i Universitetit të Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë mendon se organizimi i lojrave i shërben interesit afat-gjatë të Athinës. Ai thotë se pjesa më e madhe e projekteve publike, si linja e re e transportit urban, nevojiteshin prej kohësh dhe Lojrat Olimpike krijuan shtytjen e duhur për të kapërcyer burokracinë në Greqi:

“Greqia është një vend i vogël, i cili njihet për mungesë organizimi në sektorin publik. Prandaj Lojrat Olimpike përfaqësojnë një projekt kolosal për organizimin e punonjësve të sektorit publik, policëve, planifikuesve për të filluar dhe vënë në jetë projektet. Mendoj se është krijuar një kapital i madh njerëzor,” thotë profesori Liannos.

Siç duket, të gjithë ata që i mirëpresin Lojrat Olimpike të këtij viti besojnë se çfarëdo që i shërben turizmit i shërben më së miri edhe Greqisë.

XS
SM
MD
LG