Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, i cili vizitoi sot Sarajevën, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Bosnje-Herzegovinën. Por ai tha se përparimi drejt integrimit të këtij vendi në institucionet euro-atlantike është ngadalësuar për shkak se personat e akuzuar për krime lufte në Ballkan vazhdojnë të enden të lirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David Gollust na dërgon këto hollësi nga Sarajeva.
Zoti Powell u takua me tre anëtarët e presidencës së Bosnjes dhe me zyrtarë të tjerë në vizitën e tij që synonte të nënvizonte vazhdimin e angazhimit amerikan për këtë vend ballkanik ndërkohë që paqeruajtësit e Natos përgatiten të largohen për t’ja lënë vendin një force të Bashkimit Evropian në fund të këtij viti.
Por në takimet dhe në një konferencë shtypi që mbajti në Sarajevë, zoti Powell e bëri të qartë se shpresat e Bosnjes për integrim të plotë në institucionet evropiane dhe në Nato po pengohen nga fakti që ende nuk janë arrestuar personat e akuzuar për krime lufte në Ballkan, duke përfshirë ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjes, Radovan Karadzic:
”Shtetet e Bashkuara duan ta shikojnë Bosnjen në Partneritetin për Paqe dhe më në fund në Nato. Por kërkesa për të përmbushur angazhimet tuaja, angazhimet e Bosnjes për sa i përket bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës është absolutisht e domosdoshme. Plotësimi i këtyre angazhimeve nuk bëhet thjesht me fjalë por duke dhënë rezultate dhe duke nxjerrë para drejtësisë personat e akuzuar për krime lufte, sidomos Radovan Karadziçin.”
Sekretari i shtetit tha se ata që strehojnë zotin Karaxhiç dhe personat e tjerë të akuzuar nga Gjykata e Hagës, duke përfshirë ish komandantin e serbëve të Bosnjes, Ratko Mladic, po e mbajnë peng të ardhmen poltike të Bosnjes.
Para një muaji, në takimin e saj të nivelit të lartë në Stamboll, Natoja përsëri e refuzoi kërkesën e Bosnjes për të hyrë në Partneritetin për Paqe të Aleancës, duke përmenduar faktin se në entitetin e serbëve të Bosnjes ka elementë pengues që nuk e lejojnë dorëzimin e personave kryesorë të akuzuar për krime lufte.
Në të njëjtën kohë, sekretari Powell tha se Shtetet e Bashkuara mbeten optimiste dhe do të jenë të angazhuara plotësisht për procesin politik dhe për reformën në Bosnje. Ai vuri në dukje se megjithë kalimin e detyrave paqeruajtëse nga Natoja drejt Bashkimit Evropian, proces që pritet të realizohet së shpejti, aleanca atlantike do të vazhdojë të ketë përfaqësinë e saj në Sarajevë të kryesuar nga një gjeneral amerikan, e cila do të ndihmojë në reformat ushtarake dhe në procesin e kapjes së personave të dyshuara për krime lufte.
Gjatë vizitës së tij që zgjati pak më shumë se 4 orë, zoti Powell u takua gjithashtu me përfaqësuesin e lartë të Kombeve të Bashkuara për Bosnjen, Paddy Ashdown.//ii