Lidhje

Roli i strukturave lokale në ndërtimin e shoqërive të reja - 2004-07-31


Rruga më e suksesshme për të ndërtuar struktura të reja shtetërore në një shoqëri pas konfliktit është angazhimi sa më i madh në këtë proces i strukturave lokale dhe kufizimi i autoritetit të institucioneve ndërkombëtare. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, profesori i Ekonomisë Politike në Universitetin Johns Hopkins, Francis Fukuyama, sjell si shembull Kosovën dhe Bosnjën, për të theksuar nevojën për një angazhim më të madh të strukturave vendore në mënyrë që të kapërcehet periudha e protektoratit ndërkombëtar: Profesor Fukuyama thotë se në raste krizash, si në Afganistan, Irak, Bosnje dhe Kosovë, nevojat ishin shumë urgjente dhe komuniteti ndërkombëtar nuk kishte rrugëdalje tjetër, por të angazhohej duke marrë në dorë funksionimin e këtyre shoqërive. Por profesori paralajmëron se tutela ndërkombëtare në vende pas konfliktit shpesh herë krijon një varësi të strukturave vendase dhe pengon ngritjen e institucione të qëndrueshme. "Nuk ka një formulë të vetme për zgjidhjen e kësaj gjendjeje. Bosnja dhe Kosova janë shoqëri me tensione etnike që ende nuk janë zgjidhur. Derisa të gjithë palët në vend të bien dakord për një zgjidhje politike, tërheqja e komunitetit ndërkombëtar do të ishte e parakohshme. Situata e bën të nevojshme luajtjen e një loje diplomatike shumë të vështirë".

Në Bosnjë, vazhdon zoti Fukuyama, zyra e Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar gëzon autoritetin e një diktatori. "Shumë veta e kanë krahasuar këtë post me autoritetin e një zyrtari të lartë të Britanisë në Indinë e kolonizuar. Paddy Ashdown pak kohë më parë largoi nga detyra një numër zyrtarësh të zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëse komuniteti ndërkombëtar largohet, pasi nuk kanë zgjidhur ende problemet thelbësore politike Bosnja ka të ngjarë të rikthehet në gjendjen që ekzistonte në mes të viteve ’90".

Zoti Fukuyam, sjell si shembull pozitiv qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Afganistanit. Si rrjedhojë e planeve për ndërhyrjen e mëpasshme në Irak, Shtetet e Bashkuara nuk u angazhuan me një fuqi të konsiderueshme ushtarake, por me burime dhe trupa të kufizuara. Profesori shton se ky qëndrim nuk është negativ, përkundrazi- afganëve u mbeti mbi supe një pjesë e përgjegjësisë për të gjetur zgjidhje, dhe u angazhuan për ndërtimin e strukturave të shtetit të tyre, duke mos u mbështetur plotësisht në institucionet ndërkombëtare. Mendoj se kjo metodë e ndërtimit të shtetit, ku vendasit janë të detyruar të angazhohen më shumë vetë jep rezultate më afat-gjata, thotë zoti Fukuyama.

Zoti Fukuyama përmend më pas rastin e vendeve, të cilat nuk ndeshen me rrethana shumë urgjente, ku organizatat ndërkombëtare duhet të tregohen të kujdesshme që të mos krijojnë struktura vartësie. "Sa më e angazhuar të jetë shoqëria në vend, aq më i mirë është përfundimi pasi krijimi i institucioneve qeveritare varet gjithnjë në kontekstin lokal dhe duhet të dalë nga shoqëria. Nuk ka asnjëherë një zgjidhje shabllon nga Washingtoni për këto probleme" tha zoti Fukuyama.

Profesori vë në dukje përpjekjet që po bën Banka Botërore në këtë drejtim, duke vënë në zbatim nisma që mbështeten në propozimet dhe projektimet e vetë komuniteteve, dhe jo më në vlerësimet dhe këshillat e një zyrtari të Bankës.

XS
SM
MD
LG