Lidhje

Partia Demokratike emëron zyrtarisht senatorin John Kerry si kandidatin e saj për president - 2004-07-28


Emërimi i zotit Kerry u vulos me votën tradicionale nga të 50 shtetet, si dhe nga territoret amerikane.

Votimi u parapri nga fjalimi i senatorit John Edwards, kandidati demokrat për nënpresident i cili do të zhvillojë fushatë me zotin Kerry.

Ai tha se zoti Kerry do të garantojë sigurinë e Amerikës dhe respektin për të jashtë vendit dhe vuri në shenjestër të kritikës së tij atë që ai e quajti fushatë negative të republikanëve, që sipas tij, po përpiqen të hedhin dyshime ndaj cilësive të zotit Kerry si president i ardhshëm. ”Prej tani e deri në nëntor, ju - popull amerikan mund të hidhni poshtë politikat e kaluara negative që u ka ikur koha. Në vend të tyre mund të përqafoni politikat e shpresës, politikat që shikojnë nga mundësitë, pasi jemi në Amerikë, ku gjithçka është e mundur”.

Senatori John Edwards ngriti lart senatorin John Kerry si një udhëheqës i sprovuar në luftë, i gatshëm të mbrojë vendin dhe ndihmojë klasën e mesme e klasën punëtore amerikane.

Zoti Edwards i bëri këto komente në fjalimin që mbajti në kuvendin kombëtar të Partisë Demokrate, i cili emëroi zyrtarisht zotin Kerry si kandidat të kësaj partie për President.

Senatori i Karolinës së Veriut dha shembuj se si zoti Kerry kishte shpëtuar marinarët e anijes ku shërbente gjatë luftës së Vietnamit. Ai e përshkroi zotin Kerry si një burrë të përgatitur për ta garantuar sigurinë e Amerikës dhe për ta bërë Atë më të respektuar jashtë vendit.

Zoti Edwards - kandidati demokrat për nënpresident - u zotua gjithasthu se ai dhe zoti Kerry do të rrisnin nivelin e pagës minimale dhe do të ndëshkonin kompanitë që mbyllnin vende pune brenda vendit në kërkim të krahut më të lirë të punës jashtë.

Pas fjalimit të zotit Edwards filloi numërimi i votave për emërimin zyrtar të senatorit Kerry si kandidat për president.

Para fjalimit të senatorit nga karolina e Veriut, zoti Kerry u mbështet publikisht nga gjenerali në pension, John Shalikashvili, ish-shef i shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane. Demokratët kanë theksuar me forcë kontributin e zotit Kerry në ushtri për të bindur votuesit se ai është në gjendje të ruajë sigurinë e vendit.

Folës të tjerë kritikuan përsëri presidentin Bush. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Bill Richardson, tha se, ndërkohë që fuqia ushtarake amerikane nuk ka qenë kurrë më e madhe, respekti ndërkombëtar për Amerikën është më i ulët se asnjëherë.

Udhëheqësi afrikano-amerikan i të drejtave civile, Jesse Jackson, tha se ka ardhur koha për tërheqjen e trupave amerikane në vend dhe për të dërguar Presidentin Bush në Teksas. Korrespondenti ynë, Dan Robinson, njofton nga Bostoni.

Senator Kerry do të paraqesë pranimin e tij të emërimit nga ana e Partisë të enjten mbrëma, kur mbyll punimet edhe kuvendi i demokratëve që po zhvillohet në Boston. Pas kësaj Zoti Kerry i rikthhet fushatës së tij kundër Presidentit Bush. //az//

XS
SM
MD
LG