Lidhje

Pirateria e programeve kompjuterike - 2004-07-25


Një studim i ri i publikuar këtë muaj nga kompanitë e programeve kompjuterike thotë se kjo industri ka pësuar 29 miliardë dollarë humbje vitin e kaluar nga pirateria, shifër kjo dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2002. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood njofton lidhur me problemin në rritje të vjedhjes së programeve kompjuterike.

Kopimi i një cd-je apo hedhja e një programi nga një kompjuter në një tjetër mund të mos duket si krim. Por në shumicën e raste është i tillë.

Bob Kruger është nënpresidenti i shoqatës Business Software Alliance, grup që kontrollon piraterinë kompjuterike me seli në Washington.

"Forma më e madhe e piraterisë, ajo që ka sjellë pjesën më të madhe të humbjes prej 29 miliardë dollarësh në të ardhurat e kompanive të kompjuterave, është kopimi i programeve nga kompanitë e ndryshme. Bizneset dhe organizatat bëjnë më shumë kopje të programeve për kompjuterat e zyrave të tyre me liçencat që marrin."

Shoqata thotë se vlera e produkteve piratë barazohet me 60 përqind të shitjeve globale ligjore të programeve. Interneti thotë zoti Kruger, e bën problemin më të vështirë ndërkohë që gjithnjë e më shumë programe janë të gatshme në internet dhe mund të vidhen dhe pastaj të shpërndahen ilegalisht.

Problemi është më serioz për industrinë e muzikës. Shitjet globale të kompakt-disqeve pirate janë dyfishuar gjatë tre vjetëve të fundit. Tregu pirat i muzikës ka një vlerë më të madhe--mbi 5 miliardë dollarë fitime më shumë se sa tregu legjitim i muzikës në çdo vend të botës jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.

Industria e argëtimit po përpiqet të luftojë vjedhjet e këngëve dhe filmave përmes një fushate edukimi dhe veprimesh ligjore. Industria amerikane e muzikës për shembull ka çuar 3 mijë e 500 raste në gjyq kundër vjedhësve të muzikës në internet.

Larry Magid, inxhinier në Silicon Valley të Kalifornisë thotë se edhe pse kompania Apple Computer ka qënë e suksesshme për ti bërë njerëzit të paguajnë për muzikën që rregjistrojnë falas në kompjuter, përsëri pirateria vazhdon të rritet.

Tani ka një mënyrë ligjore për të rregjistruar muzikën nga interneti por fatkeqësisht për industrinë e regjistrimeve, kopjet e paautorizuara apo vjedhja e muzikës vazhdon të ketë fitime në nivele të larta. Nuk jam i sigurtë në se mund të krijohet një sistem ligjor apo teknologji që mund ta ndalojë këtë dukuri, të paktë jo në shkallë globale.

Industria e muzikës thotë se mbi 8 milion njerëz ishin në internet duke rregjistruar muzikë të paautorizuar në një kohë të caktuar në muajin qershor. Kjo përbën një rritje prej 19 përqind në krahasim me vitin e kaluar.

Roger Kruger thotë se industria e programeve kompjuterike merr informacione për vendet ku pirateria është më e theksuar.

"Rajonet e globit me nivelet më të larta të piraterisë janë në Azinë Juglindore, Evropën Lindore dhe Amerikën Latine. Disa nga këto vende kanë një nivel piraterie prej 90 përqindësh që do të thotë 9 nga çdo 10 programe janë të vjedhura."

Vietnami dhe Kina kanë shkallën më të lartë të piraterisë në botë, me 92 përqind të të gjitha programeve të vjedhura. Ato pasohen nga Ukraina me 91 përqind, Indonezia me 88 përqind dhe Zimbabveja dhe Rusia me 87 përqind.

Duket si një betejë e humbur. Larry Magid në Palo Alto thotë se në se nuk bëhet përparim për të luftuar vjedhjen e këngëve atëherë duhet të ndryshohen ligjet.

Ligjet duhet të ndryshohen në bazë të sjelljeve. Ashtu si ligjet kundër drogës që u ndryshuan kur nuk funksiononin siç duhet. Dhe në se janë të tilla, në se shoqëria nuk reagon për të respektuar apo mbrojtur të drejtën e pronës intelektuale atëherë e gjithë industria e muzikës dhe sistemi ligjor duhet të rishikohen. Industria mund të ketë nevojë të gjejë mënyra të tjera për të siguruar të ardhura, ndoshta përmes reklamave, ndoshta përmes pagesave mujore.

Industria e muzikës dhe ajo e filmit janë të alarmuara nga dokumentacioni që tregon se një numër në rritje i përdoruesve të kompjuterave beson se nuk është gabim të rregjistrosh muzikë apo video nga interneti.//ii

XS
SM
MD
LG