Lidhje

Irani dhe shprehja e lirë e mendimit - 2004-07-23


Profesori iranian Hashem Aghajari u dënua me 5 vjet burg për shkak se shprehu publikisht pikpamjet e tij. Zoti Aghajari ishte profesor historie në Universitetin Modarres të Teheranit. Në qershor 2002, ai u arrestua sepse mbajti një fjalim ku bënte thirrje për një ”rilindje fetare” midis myslimanëve shiitë. Në nëntor 2002, në një gjyq të mbyllur pa juri, zoti Aghajari u shpall fajtor për fyerje të Islamit dhe u dënua me vdekje. Por protestat ndërkombëtare si dhe demonstrimet e studentëve iranianë e detyruan sistemin gjyqësor radikal të vendit ta rishikojë çështjen e tij në fillim të këtij muaji. Gjatë rigjykimit të tij, zoti Aghajari tha se ai thjesht u kishte drejtuar pyetje klerikëve dhe nuk kishte fyer Islamin. "Ajo që thashë unë, deklaroi ai, është se Islami modern rrezikohet nga fondamentalizmi që ne shikojmë te Talebani dhe Osama bin Ladeni.”

Në vendet ku respektohen të drejtat e njeriut, komente të tilla do të ishin diçka fare normale, një shprehje e lirisë së fjalës. Por në Iran, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, të drejtat e njeriut nuk respektohen.

"Kjo është në vazhdën e provokimeve dhe vështirësive që krijohen për njerëzit që përpiqen të flasin hapur, është në vazhdën e mungesës së shprehjes publike në Iran, të pamundësisë që kanë njerëzit për të folur hapur mbi çështje që u intersojnë atyre."

Kudo në Lindjen e Mesme, thotë Presidenti Bush, njerëzit kërkojnë që sundimi autoritar t’i lëshojë vendin demokracisë dhe respektit për të drejtat e njeriut. Aktivisti iranian i të drejtave të njeriut, Ladan Boroumand thotë se thënia e gjërave hapur mund të sjellë ndryshime në Iran.

"Sa më shumë që e bën me turp regjimin totalitar, sa më shumë lufton kundër makinës që krijon iluzione, iluzionin e popullaritetit, iluzionin e reformës, aq më tepër e kufizon përdorimin e dhunës nga ana e tyre."

Nëse klerikët radikalë të pazgjedhur të Iranit ”nuk përfillin kërkesat demokratike të popullit iranian, thotë Presidenti Bush, regjimi do të humbasë pretendimin e tij për legjitimitet."

XS
SM
MD
LG