Shpërthimi i një bombe në Irak shkaktoi vdekjen e 4 civilëve dhe plagosjen e të paktën dy të tjerëve që udhëtonin në një mikrobuz në verilindje të Bagdatit. Sulmi ndodhi sot në afërsi të Bakubës. Agjencia franceze e lajmeve tha se në mikrobuz ishin nëntë kirurgë veteriner.
Ndërkohë persona të panjohur vranë një anëtar të këshillit rajonal në jug të Basrës. Zyrtarët e këshillit thanë se Hazem al Ainachi u qëllua në makinën e tij në një pikë kontrolli në afrësi të shtëpisë së tij së bashku me dy trupërojet e tij. Vrasja është e fundit në serinë e sulmeve ndaj zyrtarëve irakianë.
Ndërkaq, rrëmbyesit në Irak liruan një shofer kamjoni nga Filipinet, që e mbajtën peng për gati 2 javë, pas tërheqjes së parakohshme të forcave filipinase nga Iraku siç u kërkua nga rrëmbyesit e tij. Angelo de la Cruz u la sot në mëngjes në rrugën para ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Bagdad.
Më pas diplomatët morën masa për ta çuar atë në ambasadën e Filipineve, nga ku ai foli në telefon me presidenten filipinase, Gloria Arroyo. Zonja Arroyo tha se ish pengu ishte në gjendje të mirë shëndetsore dhe shpirtërore. Zyrtarët thanë se ai do të dërgohet në Emiratet e Bashkuara Arabe nesër për t'iu nënshtruar kontrolleve mjeksore para se të kthehet në atdhe.
Në një zhvillim të ngjashëm, ekstremistët, që kanë lidhje me terroristin Abu Musab al-Zarkavi kërkuan që Japonia të tërheqë trupat e saj nga Iraku, përndryshe do të përballet me sulme.
//ze//