Lidhje

Historia amerikane në një vështrim të ri - 2004-07-11


Shkrimtari Kenneth Davis thotë se historia amerikane është e mbushur me aventura dhe surpriza. Autori i librit “Don’t Know Much about History” Nuk di shumë Histori, po i bind ngadalë amerikanët se ky subjekt nuk është i mërzitshëm. Ai foli me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Los Angelos, Mike O’Sullivan.

Kenneth Davis tha se e ndjeu për herë të parë forcën e historisë kur ishte nëntë vjeç dhe vizitoi Gettysburgun në shtetin e Pennsylvanisë, vendi i betejës historike të vitit 1863 në luftën civile amerikane. Gati 50 mijë ushtarë nga Veriu dhe Jugu amerikan u vranë ose u plagosën në këtë betejë.

”Duke qëndruar në këto fusha në verën e nxehtë, ndjeva se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur atje. Nuk mund të qendrosh aty dhe të mos kesh ndjenja të forta për historinë që për mua gjithmonë ka të bëjë me njerëzimin, popullin dhe jo gjithmonë për njerëzit e famshëm.”

Ai thotë se lëvizjet e mëdha shoqërore dhe politike në Shtetet e Bashkuara kanë filluar shpesh nga njerëz të zakonshëm.

”Në se flasim për ndalimin e skllavërisë, lëvizjen për të drejtën e grave për të votuar, apo lëvizjen për të ndaluar alkoolin, lëvizjen për të drejtat civile, të gjitha këto filluan nga baza, ishin lëvizje të masave që zakonisht politikanët i kundërshtonin dhe që vetë populli duhet të luftonte deri në fund.”

Davis rradhit histori të këtyre lëvizjeve në librin e tij, i cili është shitur tani në 1 milion e 500 mijë kopje. Ai ka shkruar histori të ngjashme për gjeografinë, biblën dhe subjekte të tjera si për të rriturit edhe për fëmijët.

Ai thotë se mësimi që ka nxjerr nga historia është se njerëzit mund të ndryshojnë vendin duke mobilizuar fqinjët e tyre ose duke votuar. Ndonjëherë shton ai, ndryshimi vjen edhe nga forca e personalitetit të një njeriu të vetëm.

”Uashingtoni, Tomas Xhefersoni apo Franklin Ruzvelti, Ronald Regani... Këta janë njerëz presonaliteti dhe karaktari i të cilëve solli ndryshim në kohën e tyre.”

Ai thotë se këta njerëz ishin shpesh me të meta. Jeffersoni për shembull ishte kampion i madh i lirisë dhe autori i deklaratës së pavarësisë. Por ai ishte gjithashtu pronar skllevërish. Gjithashtu dy nga themeluesit e vendit u mbërthyen në një armiqësi që i kushtoi jetën njërit prej tyre.

”200 vjet më parë më 11 korrik Alexander Hamilton dhe Aaron Burr u përballën në duel dhe ky i fundit vrau Hamiltonin. Njëri ishte nënpresidenti i Amerikës kurse tjetri ish sekretari i thesarit. A mund të imagjinoni sot Dick Cheinin të sfidojë në duel Paul O’Neilin sepse nuk i pëlqeu libri i tij? Këto janë momente që tregojnë karakteret e njerëzve të mëdhenj që janë pjesë e historisë amerikane të 228 vjetëve që kur u krijua shteti.”

Ndërkohë që amerikanët i anashkalojnë këto lloj episodesh, jo të gjitha historitë që dinë ata janë të vërteta. Për shembull, thuhet se George Washingtoni preu një pemë qershie kur ishte i ri dhe më pas i tregoi të jatit pasi nuk mund të gënjente. Kurse historianët nuk e pranojnë këtë gojëdhënë.

Por shkrimtari thotë se historia reale e një kombi është shumë më interesante sesa lista e datave dhe betejave që mësohen në shkolla. Ai thotë se historia është aq magjepse sa edhe letërsia artistike.//ii

XS
SM
MD
LG