Lidhje

Kroacia, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë - 2004-07-10


Muajin e kaluar, Kroacia festoi 14 vjetorin e pavarësisë. Ndërkohë që ky vend përgatitet të anëtarësohet këtë dekadë në Bashkimin Evropian, vihen re vetëm pak shenja të luftës për pavarësi të viteve 1991-1995. Gjatë një udhëtimi kohët e fundit në bregdetin e Kroacisë në Adriatik si dhe në kryeqytetin kroat Zagreb, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zllatica Hoke, arriti në përfundimin se kroatët shikojnë nga e ardhmja si me optimizëm ashtu edhe me rezervë. Këmbanat e kishës, që lajmërojnë një meshë në mesditë në qytetin e Dubrovnikut, dëgjohen mes muzikës gazmore të bandës, që tërheq një numër të madh turistësh para kishës Shën Blaise. Pjesa historike e qytetit, e përfunduar në shekullin e 13-të, është edhe sot e pandryshuar. Ajo është e rrethuar nga muret e qytetit dhe ka dy hyrje, që të çojnë në sheshin kryesor të qytetit Stradun. Në vitet 1991-1992, pasi Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia, serbët bombarduan qytetin, duke shkaktuar dëme të mëdha, por falë përpjekjeve lokale dhe ndihmave ndërkombëtare, qyteti i vjetër është restauruar në formën e tij krenare të mëparshme.

Ndërkohë që në të kaluarën vizitorët shkonin e vinin, tani shumë prej tyre duan të qendrojnë. Tani që Kroacia pritet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në më pak se një dekadë, investitorët e huaj po vërshojnë të blejnë pasuri në bregdetin e këtij vendi dhe në më shumë se 1 mijë ishujt e tij. Çmimet e pasurisë së patundshme dhe thuajse të çdo gjëje tjetër po arrijnë kulmin, duke bërë që të nxiten disa pakënaqësi ndaj Bashkimit Evropian dhe ekonomisë së tregut të lirë.

“Bashkimi Evropian është një komunitet i madh shumë etnik. Kroatët më të mirë do të largohen nga Kroacia, ndërkohë që anglezë, francezë dhe gjermanë të moshuar do të mbizotërojnë bregdetin e Adriatikut.” Këto fjalë të fundit të famshme të Stipe Shuvarit, ish kryetari i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe themelues i Partisë së re Socialiste të Punëtorëve, i cili vdiq javën e kaluar, u botuan në revistën e përjavshme Nacional të Kroacisë.

Ivo Pukanic, presidenti i bordit të grupit NCL të medias, i cili ka pronë revistën Nacional, thotë se anketat e tij të opinionit publik tregojnë se entuziazmi i mëparshëm rreth anëtarësimit në Bashkimit Evropian ka rënë ndjeshëm.

“Para 2 vjetësh unë do të thosha se 100 përqind e popullit kroat kërkonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por tani vetëm 50 përqind e kroatëve e kërkojnë këtë anëtarësim,” thotë zoti Pukanic.

Ai shton se sot shumë kroatë mendojnë se do të ishte më mirë që t’i mernin vetë vendimet për vendin e tyre dhe të mos ndiqnin rregullat e Bashkimit Evropian. Të njëjtin mendim ka edhe ekonomistja e sektorit publik, Branka Ruzic nga Zagrebi. “Kroacia ka burime natyrore dhe njerëzore që mund ta bëjnë atë një vend të begatë. Kroatët po fillojnë ta kuptojnë se ç’do të thotë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Për shembull, artikujt ushqimorë pa shije të prodhuar në masë në vendet e tjera evropiane po zëvëndësojnë prodhimet më të shëndetshme lokale. Artikuj të lirë elektronikë dhe artikuj të tjerë po vërshojnë nëpër dyqane, ndërkohë që çmimet e pasurisë së patundshme nuk mund të përballohen nga kroatët me të ardhura të mesme,” thotë zonja Ruzic. Ajo shton se që prej fitores së pavarësisë së Kroacisë para 10 vjetësh, punëtorët kanë humbur mbrojtjen nga sindikatat e tyre. Ata mund të pushohen nga puna në se nuk i pëlqen manaxheri, gjë që i ndodhi koleges së saj, Romina Veljaca para 2 vjetësh.

Por zonja Veljaca thotë se privatizimi i bëri asaj të mundur që të hapë biznesin e saj dhe tani ajo është në gjendje shumë më të mirë.

Kroacia ka shumë raste ligjore që nuk janë zgjidhur ende, dhe shumica kanë të bëjnë me pasurinë e patundshme. Mungesa e dokumenteve të duhura e bën të ndërlikuar blerjen dhe shitjen e pasurisë së patundshme. Zonja Veljaca është specializuar për të ndihmuar blerësit dhe shitësit që të sigurojnë dokumentet e nevojshme.

Mario Kopic, analist politik dhe filozof nga Dubrovniku, thotë se sistemi ligjor i Kroacisë është krejtësisht i çrregullt, por kjo gjendje duhet të ndryshojë para se vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Madje kjo anëtarësi do të sjellë përfitime të tjera, përfshirë edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ekonomia e Kroacisë, e nxitur kryesisht nga shtimi i turizmit, filloi të shënonte rritje në vitin 2000 dhe e kaloi 5 përqindëshin në vitin 2002, por shkalla e papunësisë prej më shumë se 10 përqind vazhdon të jetë e lartë. Zoti Kopic thotë se në një Evropë që po bashkohet, Kroacia nuk mund të qëndrojë e vetme. Ai thotë se kroatët duhet të jenë kritikë ndaj Evropës dhe krijues. Dhe duket se shumica e kroatëve kanë ndjenja të tilla. Ndonjëherë me një vështrim nostalgjik nga e kaluara, Kroacia po marshon e vendosur drejt së ardhmes.

XS
SM
MD
LG