Lidhje

Përgatitje për konferencën ndërkombëtare të Sidës - 2004-07-10


Konferenca e 15 ndërkombëtare për Sidën do të zhvillohet në Bankok të Tailandës nga 11 deri më 16 korrik. 20 mijë delegatë nga mbarë bota pritet të marrin pjesë në këtë aktivitet që zhvillohet dy herë në vit. Krerë shtetesh, përfaqësues zyrtarë dhe shkencëtarë do të shprehin shqetësimet e tyre dhe do të informohen për të rejat e fundit mbi epideminë e Sidës. Paul Zeitz, president i shoqatës globale për Sidën me bazë në Washington thotë se epidemia e Sidës vazhdon të jetë një krizë e gjerë botërore.

“Që kur virusi u identifikua në fillim të viteve ’80, mbi 65 milion njerëz janë infektuar. Gati 25 milion e këtyre kanë vdekur tashmë nga sëmundja. Pra mbeten 40 milion njerëz që jetojnë tani me këtë sëmundje,” thotë zoti Zeitz.

Nga këta, 28 milion janë afrikanë, shumica në Afrikën nën-sahariane.

“Afrika është epiqendra kërcënimit më i madh të njerëzimit në botën e sotme. Kërcënim që është shumë më i rrezikshëm sesa terrorizmi ndërkombëtar dhe armët e shkatërrimit në masë,” thotë zoti Salih Booker, drejtor i Aksionit Afrikan, një organizatë me qendër në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se më pak se 1 përqind e afrikanëve me virusin HIV marrin trajtim dhe ilaçe.

Ky është thelbi i debateve midis aktivistëve për Sidën dhe industrisë farmaceutike. Shumë aktivistë thonë se shumica e pacientëve nuk mund të përballojnë ilaçe që mund tu shpëtojnë jetën. Disa fajësojnë kompanitë farmaceutike që i mbajnë çmimet e larta duke insistuar në të drejtat e pronës intelektuale dhe duke mos lejuar kopje të ilaçeve. Ata thonë se qeveria amerikane po i mbështet kompanitë në një kohë që duhet ti inkurajojë përdorimin e ilaçeve të kopjuara.

Mark Grayson i shoqatës së kërkimeve farmaceutike të Amerikës, e njohur si PHRMA mbron industrinë farmaceutike dhe çmimet për produktet e saj. Ai thotë se është një biznes me rrezik të lartë dhe mund të kushtojë gati 500 mijë dollarë për tu ndërtuar. Megjithatë ai pohon se problemi është shumë më i madh sesa çmimi i ilaçeve. Ai thotë se industria farmaceutike amerikane është industria filantropike më e madhe në botë që jep falas miliona dollarë ilaçe por që nuk mund të ndërtojë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor për afrikanët.

“Ata nuk kanë ujë të pastër, s’kanë ilaçe për malarien, pra kanë nevojë për shumë ilaçe përfshi ato për Sidën. Çmimi i ilaçeve kur ato nuk janë falas është shumë i lartë për shumicën e vendeve të Afrikës dhe duam që komuniteti botëror të bëjë më shumë për këtë,” thotë zoti Grayson.

Një gjë duket e qartë për të gjitha palët: qeverive do tu duhet të bëjnë më shumë. Disa gjëra nuk mund të zgjidhen vetëm nga organizatat bamirëse dhe kompanitë farmaceutike. Për shembull 14 milion fëmijë janë tani jetimë, shumica e tyre në Afrikë. Një raport i USAID që do të prezantohet gjatë konferencës së Bangkokut thotë se të paktën 25 milion njerëz do të jenë jetimë deri në fund të dekadës.

“Bota nuk është zgjuar ende nga kriza e jetimëve. Një gjeneratë e tërë fëmijësh do të mbeten pa mbështetje, pa dashuri dhe janë në rrezik të bëhen forca armiqësore,” thotë zoti Zeitz.

Shumë mësime janë nxjerrë nga epidemia e Sidës. Por Konferenca e Bangkokut mund të na tregojë mësime të tjera të dhimbshme që mund të na dalin përpara.

XS
SM
MD
LG