Lidhje

Raport kritik i senatit ndaj zbulimit para luftës në Irak - 2004-07-09


Senati amerikan publikoi një raport shumë kritik ndaj punës së shërbimeve amerikane të zbulimit lidhur me armatimet irakiane para luftës në Irak.

Raporti thotë se përfundime të rëndësishme lidhur me programet irakiane të armëve të shkatërrimit në masë ishin ekzagjeruar ose nuk ishin mbështetur mbi fakte të forta.

Raporti akuzon shërbimet amerikane të zbulimit për interpretimin e të dhënave të dyshimta si prova të vërtetuara duke thënë se ato kurrë nuk e kishin vënë në dyshim supozimin se Iraku kishte armë të paligjshme.

Në raport veçohej CIA, e cila, siç thuhet aty, nuk ia kishte përcjellë disa të dhëna agjencive të tjera. Raporti u miratua njëzëri, por disa demokratë akuzuan Shtëpinë e Bardhë se i kishte bërë presion CIA-s për t’i formuluar përfundimet e saj në mënyrë të atillë që të mbështetej lufta në Irak.

Komisioni do të nxjerrë në fund të këtij viti një raport mbi mënyrën se si administrata e presidentit Bush i shfrytëzoi të dhënat e zbulimit.

XS
SM
MD
LG