Kishat konservatore të Amerikës e kanë shpallur të dielën si dita e mbrojtjes së martesës, pasi sipas tyre, divorcet po e shkatërrojnë familjen amerikane. Konservatorët janë shprehur gjithashtu me forcë kundër martesave midis njerëzve të të njëjtit seks. Por cilat janë në fakt prirjet e familjes së sotme amerikane dhe si ka ndryshuar ajo gjatë dekadave të fundit?
Familjet amerikane kanë ndryshuar në mënyrë dramatike krahasuar me vitet 50, kur emisione të tilla televizive si Aventurat e Ozit dhe Harietës pasqyronin jetën reale të një familjeje amerikane të përbërë nga një çift dhe djemtë e tyre.
Gruaja e familjes, Harrieta ishte shtëpiake - ideali i bashkëshortes në atë kohë. Statistikat tregojnë se niveli i divorceve është rritur së tepërmi që nga ajo kohë.
"Në atë kohë, martesat përfundonin me vdekje. Sot ato përfundojnë me divorc," thotë Sandra Hanson, dekane e sociologjisë në Universitetin Katolik të Amerikës në Uashington.
Divorci është një prej arësyeve që adoleshentët amerikanë sot kanë prirjen të jetojnë të ndarë nga prindët e tyre biologjikë.
Ka edhe disa elementë të tjerë që flasin për ndryshimin që ka pësuar familja amerikane në ditët tona: Sot, një në çdo tre fëmijë ka si nënë një grua të pamartuar. Ja dhe diçka tjetër: edhe para se çiftet homoseksuale të lidhnin kurorë në mënyrë të ligjshme, shumë fëmijë rriteshin në familje ku prindërit i përkisnin të njëjtit seks.
Më pak se 25 përqind të familjeve amerikane përbëhen nga burri, gruaja dhe fëmijët e tyre biologjikë. Vetëm në 10 përqind të rasteve gruaja është plotësisht shtëpiake.
Profesore Hanson dhe sociologë të tjerë thonë se kjo familje tradicionale ka qenë tipike vetëm për një periudhë të shkurtër në historinë amerikane.
"Ne gjithnjë marrim një periudhë të caktuar kohe si pikë referimi dhe pikërisht vitet 50. Ndoshta kjo ka qenë thjesht një anomali, sepse në atë kohë në Shtetet e Bashkuara pati një zhvillim të mbarë ekonomik. Ekonomia ishte shumë e qendrueshme. Bota sapo kishte dalë nga lufta. Ishte një periudhë kur familja mund të mbahej me rrogën e vetëm njërit prej bashkëshortëve. Sot kjo nuk ndodh më.
Disa organizata kishtare dhe sociale po përpiqen tani të mbështesin dhe të reklamojnë familjet e përbëra nga burri, gruaja dhe fëmijët e tyre biologjikë. Presidenti Bush po bën thirrje për një amendament kushtetues që të ndalonte martesat midis homoseksualëve.
"Nëse kërkojmë të mos lejojmë ndryshimin përgjithmonë të kuptimit të martesës, ne duhet të miratojmë një amendament kushtetues që të mbrojë martesën në Amerikë," thotë Presidenti Bush, i cili e ka ngarkuar qeverinë që të nxisë martesat midis të varfërve për të zbutur varfërinë midis fëmijëve dhe problemet sociale që vijnë me të.
Fondacioni Heritage, një organizatë konservatore studimesh në Uashington, ka ndërmarrë një seri kërkimesh mbi përfitimetg që kanë fëmijët në familjet e shëndosha.
"Martesa është me rëndësi kritike për forcën e një shoqërie. Në fakt, forca e një shoqëria varet nga forca e familjes. Ndërsa forca e familjes varet nga forca e martesës," thotë Jennifer Marshall, drejtore e studimeve për politikën e brendshme pranë këtij fondacioni. Ajo thotë se qeveria duhet të ulë taksat për të hequr një pjesë të stresit ekonomik që kanë familjet. Gjithashtu, qeveria duhet të dekurajojë formimin e familjeve alternativë, siç i quan ajo, për shembull familjet homoseksuale ose ato me një prind.
"Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur të paprekur familjen. Liria dhe begatia e Amerikës varet nga forca e familjes. Nëse duam të kemi një shoqëri të lirë, atëhere na duhet një masë kritike individësh që të mos varen nga asistenca sociale por të jetojnë në mënyrë të pavarur kur dalin në jetë. Mënyra më e mirë për t’i përgatitur të rinjtë për këtë është një familje e shëndoshë," thotë zonja Marshall, e cila sjell shifra që tregojnë se 75 përqind e fondeve të asistencës u shkojnë familjeve me një prind të vetëm. Ajo thotë gjithashtu se fëmijët kanë më tepër sukses në familjet që nuk preken nga divorci. Për fat të keq, 50 përqind e familjeve amerikane përfundojnë me divorc. Sandra Hanson thotë se përqindja e divorceve është në rritje kudo në botë.
"Kjo po ndodh në të gjithë botën. Divorcet po shtohen si në vendet e pasura edhe në ato të varfëra. Shumë nga këto ndryshime janë pjesë e një procesi global që po ndodh në familje në kushtet e modernizimit, në kushtet kur gruaja ka hyrë në tregun e punës. Edhe kjo është diçka që shkakton konflikte sepse gratë tani janë më të pavarura dhe nuk dëmtohen më ekonomikisht nëse divorcohen. Në të kaluarën ato nuk mund të largoheshin dot nga bashkëshorti," thotë Profesore Hanson e cila propozon politika të tilla që të mbështesin të gjitha llojet e familjeve dhe jo thjesht familjet tradicionale.