Lidhje

Amnesty International: pakicat në Kosovë nuk janë më të mbrojtura se sa më parë - 2004-07-08


Trazirat e dhunshme në Kosovë në muajin mars demonstrojnë dështimin e forcave vendase dhe ndërkombëtare në përpjekjet për mbrojtjen e pakicave etnike. Kanë kaluar pesë vjet që kur bashkësia ndërkombëtare mori nën kontroll Kosovën, thekson në një raport të tij të ri grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International, dhe pakicat nuk janë më të mbrojtura se më parë.

Raporti i organizatës Amnesty International, i titulluar “Dhuna e marsit në Kosovë: UNMIK-u dhe KFOR-i nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e pakicave” përqendrohet tek përleshjet e dhunshme të 17 dhe 18 marsit të këtij viti, ku thuhet se u përfshinë 51 mijë vetë në 33 incidente në mbarë Kosovën. Në masën më të madhe, këto ngjarje ishin sulme nga ana e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera etnike. 19 persona humbën jetën, mbi 950 të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale ishin të shumta. Më shumë se 4 mijë banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë.

Amnesty International thotë në raport se “numri i lartë i të vrarëve dhe i të plagosurve tregon mungesën e përgjigjes së duhur dhe të vendosur të bashkësisë ndërkombëtarer ndaj incidenteve të prishjes së rendit publik. KFOR-i, forca ushtarake e drejtuar nga Natojo dhe policia civile ndërkombëtare nuk arritën të garantonin sigurinë publike për pakicat. Njësi të tyre vepruan pa një bashkërendim të dukshëm dhe intepretuan në mënyra të ndryshme mandatet e tyre.

Një strukturë civile komanduese për KFOR-in do të ndihmonte në sigurimin e një përgjegjësie më të madhe ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e personelit të KFOR-it, thotë Amnesty International.

Raporti dokumenton me hollësi një numër incidentesh, përfshirë dështimin e trupave të KFOR-it nën komandën gjermane dhe franceze për parandalimin e sulmeve ndaj pasurisë së pjesëtarëve të pakicave. Raporti përmban hollësi të pohimeve për ndërlikim dhe mosveprim nga ana e disa pjesëtarëve të Shërbimit Policor në Kosovë ndaj incidenteve të vënies së zjarrit në komunitetin e ashkalinjve në Vushtrri, sulm që çoi në dëbimin e banorëve nga shtëpitëe tyre. “Mbi njëmijë serbë dhe ashkalinj mbeten të pastrehë dhe jetojnë në kushte të vështira si rezultat i dhunës më të fundit në Kosovë. Për shkak se nuk janë të bindur që Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe KFOR-i do t’i mbrojë ata nga sulme të mëtejshme, ata nuk pranojnë të kthehen në shtëpi, thekson Amnesty International.

Grupi për të drejtat e njeriut është i shqetësuar se problemet që qendrojnë pas tensioneve ndër-etnike, ende nuk janë zgjidhur: “UNMIK-u, si edhe autoritetet e Serbisë e Malit të Zi nuk kanë arritur deri tani të përcaktojnë fatin e të zhdukurve para konfliktit, gjatë dhe pas konfliktit në vitin 1999. Autorët e akteve të dhunës ndëretnike vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar”. “Pasiguria e vazhdueshme në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës ka ndikuar në rritjen e tensioneve ndëretnike gjatë vitit të kaluar”, thotë Amnesty International.

Grupi bën thirrje që UNMIK-u të nxjerrë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për vrasje, vënie zjarri dhe nxitje të dhunës; që Natoja dhe KFOR-i të realizojnë hetime të plota dhe të paanshme në lidhje me rolin dhe veprimin e forcave franceze, gjermane dhe të Shërbimit Policor të Kosovës; që autoritetet e përkohshme lokale të fillojnë procese hetimore dhe zbatimin e procedurave disiplinore kundër zyrtarëve vendorë, të cilët ose janë ndërlikuar në aktet e dhunës, ose nuk kanë vepruar për të penguar dhunën. Amnesty International bën gjithashtu thirrje që vendet-anëtare të Bashkimit Evropian t’u japin strehim dhe t’u sigurojnë mbrojtjen nën statusin e refugjatit pjesëtarëve të bashkësisë së ashkalinjve në Vushtrri dhe të mos kthejnë me forcë në Kosovë pjesëtarët e asnjë pakice kombëtare.

//rd//

XS
SM
MD
LG