Lidhje

Shqipëri: Partia Socialiste -e gatshme të përballet me zgjedhje të parakohshme - 2004-07-05


Për të disatën herë gjatë mandatit të saj qeverisës Partia Socialiste është ndjerë shumë afër lënies sëpushtetit. Por ajo ka mundur të amortizojë të carat e herëpasherëshme duke lëvizur sa me kompromise të brendshme, sa me marrëveshje me aleatët.

Këtë herë ndarja e brendshme është e pariparueshme. Grupi i deputetëve që i janë bashkuar lëvizjes se ish-kryeministrit Ilir Meta mund të konsiderohen de facto jashtë grupit parlamentar socialist. Pra të vetëm socialistët nuk e kanë më shumicën. E vetmja garanci mbeten aleatët të cilët jo rallë herë u janë kundërvënë atyre. Në një situatë të tillë, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, tha se partia e tij është e gatshme të shkojë në zgjedhje, nëse humbet kontrollin e shumicës duke saktësuar se kjo do të ishte një lëvizje e detyruar dhe jo e dëshiruar prej tyre: "Në rastin konkret nuk është PS që kërkon të shkojë në zgjedhje, por është ushtrimi i gabuar i mandatit që një pjesë e kolegevë tanë dhe aleatëve tanë nuk është PS se dëshiron për interesat e saj partiake, por është mosushtrimi i mandatit institucional politik i përfaqësuesve të saj dhe të aleatëve. Ky është thelbi i problemit. Ne jemi të gatshëm në çdo moment të vemi në zgjedhje".

Por në të vërtetë, sa të gatshëm do të ishin socialistët për këtë? Në gjendjen aktuale, me problemet e ndryshme të brendshme, me një qeveri që prej kohësh po mbetet në shënjestër të sulmeve të përditshme të opozitës, por edhe të pjesës dërrmuese të shtypit socialistët nuk do të ishin të favorizuar.

E vetmja shpresë për ta mund të ishte që me anë të zgjedhjeve të parakohshme të kapin të papërgatitur opozitën dhe të minimizojnë goditjen që mund t’u japë nga brenda grupi i ish-kryeministrit Meta, i cili është vënë në lëvizje të plotë për të thithur sa më shumë elektorat të majtë.

Nga ana tjetër ky deklarim mund të jetë edhe një formë shantazhi për të penguar sërish një revansh të mundshëm të ish-kryeministrit Meta duke e cilësuar atë si faktor që kërkon dorëzimin e pushtetit të socialistëve apo abuzues me mandatin që ka marrë nga partia.

Përvec këtyre problemeve, socialistët rrezikojnë të shkojnë edhe në një përplasje me presidentin e Alfred Moisiu pas kthimit në parlament nga ana e kreut të shtetit të ligjit për pronat. Të hënën, zoti Ruci tha se ”nuk ishte njohur ende me motivet e vendimit të presidentit”, por duke iu referuar kontakteve të mëparshme që ka patur me presidentin deklaroi se kthimi i ligjit është bërë për arsye politike. Zoti Ruci tha se qëndrimi i Partisë Socialiste mund të ndryshojë vetëm nëse shkaqet e vendimit të kreut të shtetit janë kushtetuese, duke lënë kështu të hapur mundësinë e mospërfilljes së dekretit dhe rrëzimin e mundshëm të tij. //az//

XS
SM
MD
LG