Mijëra vjet më parë, shkrirja e akullnajave në Amerikën Veriore krijoi Liqenet e Mëdhenj, një bukuri e rrallë natyrore dhe burim i fuqishëm natyror për industrinë. Por pikërisht kjo natyrë e tyre e dyfishtë ka krijuar probleme sepse gjatë viteve, industria ka abuzuar me Liqenet e Mëdhenj.
Nga Dunat e Indianës, Liqeni i Miçiganit duket si një oqean i gjerë. Vetëm grataçielat e Çikagos, që ngrihen në horizont, tregojnë se nuk kemi të bëjmë me oqean, por me një liqen. Natyrisht, Liqeni i Miçiganit është një prej 5 Liqeneve të Mëdhenj të Amerikës Veriore, një sistem liqenesh që përmban një të pestën e ujrave të pijshëm të botës.
"10 milionë njerëz e sigurojnë ujin e pijshëm nga Liqeni i Miçiganit - një numër pra mjaft i madh njerësh, që mbështeten tek ky sistem i madh uji,” thotë Drejtori Ekzekutiv i Federatës së Liqenit Miçigan, organizatë që merret me ekologjinë e liqenit. Ai thotë se është e rëndësishme ruajtja e pastërtisë së ujit të liqenit, se në këtë mënyrë ne mund të shpëtojmë popullatën rreth tij.
Liqenet e mëdhenj janë si një lloj përcjellësi i mesazhit, sepse këtu problemet ekologjike janë më të dukshme se kudo gjetkë.
Dikur këto probleme ishte e lehtë të shiheshin. Uji i Liqeneve të Mëdha ishte tepër i ndotur. Sot, me vendosjen e rregullave të qeverisë për pastrimin e bizneseve moderne, ndotja e trashëguar nga dekada më parë, vazhdon të jetë një shqetësim.
“Gjatë 50, 60, 70 vjetëve, një pjesë e madhe e këtyre ndotësve u grumbullua në sedimentet e porteve dhe degët e lumenjve që derdheshin në liqenet e mëdha,” thotë Marc Tuchman shkencëtar në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.
“Këto sedimente zakonisht qëndrojnë në fund të liqenit, por në rastin e stuhive, një pjesë e madhe e tyre ngrihen lart, duke ndotur ujin e liqenit në ato thellësi ku ka peshq dhe ky është problem tepër shqetësues,” thotë Tuchman.
Scott Cienawski është shkencëtar pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Ai del shpesh me anjien Mud Puppy dhe merr mostra nga uji i liqenit për t’u analizuar në laborator.
“Ndoshta në liqen ka kimikate, për të cilat ne nuk bëjmë fare analiza laboratorike,” thotë shkencëtari.
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë të shqetësuara se rreth 43 zona e kanë cilësinë e ujit të dëmtuar. Shkencëtari Cinawski ka zhvilluar prova me rreth gjysmën e tyre. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit vlerëson se pastrimi i ujit të sedimenteve të ndotura mund të kushtojë më tepër se një miliardë dollarë. Por të shpëtosh liqenet nuk do të thotë vetëm të pastrosh ujin e tyre, por ta mbash të gjithë ekosistemin të shëndetshëm për të ardhmen.
Këta fëmijë të Qendrës Mësimore të Mjedisit nga Indiana japin kontributin e tyre nëpërmjet mbjelljes së bimëve karakteristike për Liqenin e Miçiganit.
“Është shumë e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë se ku jetojnë dhe çfarë është e veçanta me ambjentin ku jetojnë, në këtë mënyrë ata do të kujdesen për të,” thotë ekspertja Lee Botts, themeluese e Qendrës Mësimore për Mjedisin.
Mbrojtësit e Mjedisit dhanë ndihmesën e tyre për krijimin e këtij parku të bukur në një zonë e cila njihet për uzinat e çelikut dhe rafineritë e naftës. Kjo është një marrëveshje 35-vjeçare e arritur me kompromis midis industrialistëve dhe ambjentalistëve dhe rezultati duket qartë.
“Industria dhe natyra qëndrojnë krahas njëra-tjetrës si rezultat i këtij kompromisi”, thotë zonja Botts. Gjatë 30 vjetëve të fundit në kushtet e këtij partneriteti, parku ka marrë rreth 1 mijë e 400 hektarë nga industria lokale - më tepër se 250 hektarë janë donacione, tokë e destinuar për bonifikime dhe rritjen e specieve të veçanta. Gjithshka bëhet me shpresën për të siguruar të ardhmen e Liqenin e Miçiganit dhe bashkë me këtë, ujin e pijshëm dhe mbarë sistemin ekologjik për popullsinë e madhe të Çikagos.