Zyrtarët amerikanë vazhdojnë përpjekjet për të konfirmuar fatin e një marinsi amerikan të kapur peng në Irak, një ditë pas njoftimeve të ekstremistëve irakianë se e kishin ekzekutuar atë me prerje koke.
Organizta ekstremiste Ansar al-Suna mohoi dje se kishte nxjerrë një deklaratë, në të cilën thuhej se kishte vrarë ushtarin Wasef Ali Hassoun - një shtetas mysliman amerikan i lindur në Liban.
Marinsi 24 vjeçar figuron i zhdukur që nga 21 qershori. Rrëmbyesit e tij kanë kërcënuar se do ta vrasin atë nëse nuk lirohen të gjithë irakianët që mbahen nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.
Ndërkohë, zyrtarët irakianë thonë se sabotatorët kanë hedhur në erë një pjesë të një naftësjellësi të rëndësishëm që lidh fushat naftëmbajtëse veriore dhe jugore të Irakut.
Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që qeveria e përkohshme e Irakut thotë se me qëllim që të pakësojë dhunën në vend, ajo po shqyrton mundësinë e amnistisë për disa irakianë që kanë luftuar kundër ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.