Të paktën katër persona humbin jetën dhe disa të tjerë plagosën në një seri sulmesh në dy qytete irakiane.
Një ushtar amerikan u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe ndërkohë që ata po udhëtonin me makinë përmes Bagdadit.
Në një sulm tjetër në rrugën kryesore që çon në aeroportin e kryeqytetit, persona të armatosur sulmuan dy makina, me të cilat mesa duket po udhëtonin kontraktorë civilë. Njoftohet se dy persona mbetën të vrarë, por deri tani nuk janë dhënë hollësi të tjera.
Dhe në qytetin verior irakian të Mosulit, një autokolonë tjetër ndeshi në pritë dhe zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se një kontraktor civil u vra dhe të paktën dy të tjerë u plagosën.
Po në Mosul, policia thotë se të paktën 17 irakianë u plagosën, disa prej tyre rëndë, gjatë një sulmi me garnadahedhës kundër një qendre ushtarake rekrutimi. Shumica e të plagosurve po pritnin në radhë në kërkim të punësimit.
Ndërkaq, duket se jeta po normalizohet në qytetet e shenjta shiite Naxhaf dhe Kufa, ku mesa duket po respektohet një armëpushim i arritur midis forcave amerikane dhe milicisë shiite.
Policia irakiane patrullon rrugët përreth objekteve të shenjta, ndërkohë që banorët thonë se luftëtarët besnikë të klerikut radikal Moktada al-Sadër janë tërhequr nga pozicionet e tyre. Luftëtarët nuk janë larguar nga qytetet, por thuhet se ata nuk vazhdojnë më të vringëllojnë armët e tyre.
//rd//