Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë vënë në qarkullim një projekt-rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit, e cila përfshin garanci më të forta për sovranitetin e Irakut.
Projekt-rezoluta më e fundit cakton një datë të saktë për përfundimin e mandatit të forcës shumë kombëshe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Në të thuhet se mandati skadon më 31 dhjetor të vitit 2005, e njëjta ditë e caktuar për marrjen e pushtetit nga një qeveri e zgjedhur.
Projekt-rezoluta do t’i japë qeverisë së përkohshme kompetencë që t’i kërkojë forcës shumë kombëshe të tërhiqet më parë.
Projekt-rezoluta iu dha dje vendeve anëtare para diskutimeve në një vend pushim privat sot dhe nesër.
Po dje, kryeministri i qeverisë së re të përkohshme të Irakut, Iyad Allawi, e shfrytëzoi fjalimin e tij të parë të transmetuar nga televizioni në gjithë vendin për t’u bërë thirrje irakianëve që të bashkohen kundër terrorizmit. Ai tha se do të ishte një katastrofë në se sulmet i detyrojnë trupat e huaja që të largohen nga Iraku para se të rindërtohen institucionet ushtarake dhe ato të sigurisë.
Ndërkohë, 5 ushtarë amerikanë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën dje, kur autokolona e tyre u sulmua në Bagdad afër një lagje të banuar kryesisht nga shiitët.
Po në Bagdad, zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se policia irakiane ndaloi Umar Bazijanin, një terrorist i njohur i dyshuar për vrasje dhe bashkëpunëtori i udhëheqësit terrorist, Abu Musab al-Zarkawi. Zarkawi kërkohet në lidhje me vrasjen e civilit amerikan, Nicholas Berg.
//ze//