Lidhje

Përurohet në Uashington përmendorja kushtuar Luftës së Dytë Botërore - 2004-05-29


Mijëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore u mblodhën dje në Washington me rastin e përurimit të një monumenti të ngritur për nder të atyre që shërbyen në këtë konflikt.

Përmendorja e re ngrihet në qendër të kryeqytetit amerikane me dy harqe prej graniti, që përfaqësojnë dy fushë-betejat kryesore të Luftës së Dytë Botërore, Atlantikun dhe Paqësorin.

Katër mijë yje të florinjtë simbolizojnë më shumë se 400 mijë amerikanët që humbën jetën në atë konflikt. Poshtë yjeve shkruhet “Këtu ne shënojmë çmimin e lirisë.”

Në përurimin e këtij monumenti, presidenti Bush tha se ky memorial përbën një nderim të përshtatshëm për 16 milion amerikanët, që morrën pjesë në atë luftë. Ai përshëndeti sakrificat e atij që tani njohet si Brezi më i Madh i Amerikës, përfshirë edhe shërbimin e babait të tij, ish presidentit George Herbert Walker Bush, i cili u rrëzua ndërsa drejtonte një aeroplan si pilot i marinës.

“Ata ishin djemtë modestë të një vendi paqësor dhe miliona prej nesh jemi krenarë t’i quajmë ata Baba. Ata dhanë vitet më të mira të jetës së tyre për misionin më të madh që atdheu mund të priste ndonjëherë prej tyre.”

Presidenti Bush dhe babai i tij morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me ish presidentin Bill Clinton dhe ish senatorin, Bob Dole, veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili luajti një rol të rëndësishëm në grumbullimin e fondeve private për këtë projekt, që kushtoi 175 milion dollarë.

Presidenti Bush tha se Lufta e Dytë Botërore ndryshoi shoqërinë amerikane, duke futur gratë në fuqinë punëtore gjatë luftës dhe duke zhdukur pengesat për afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera.

“Me kalimin e kohës, këto kontribute u bënë parashikimet e barazisë dhe përmirësimet në drejtësinë e Amerikës së pas luftës na bënë ne një vend më të mirë.”

Koloneli në pension i forcave ajrore, Charles McGee shërbeu me njësi të marinës të përbëra vetëm nga zezakët, të cilët shërbyen me nder dhe kapërcyen shumë prej pengesave për barazi racore në ushtri.

“Ne shkatërruam mitet dhe paragjykimet, që fshiheshin pas politikave të ndryshme, përfshirë atë në ushtri. Pra, po t’i hedhim një vështrim të kaluarës, ushtrisë iu desh të vihej në krye të përpjekjeve për të siguruar mundësi të barabartë për të gjithë, në bazë të aftësive të ushtarëve dhe jo ngjyrës së lëkurës apo prejardhjes së tyre.”

Autoritetet ngritën tenda të ndihmës së shpejtë në rast se ndonjë nga veteranët e moshuar që morën pjesë në ceremoni do të kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Më shumë se 1 mijë veteranë amerikanë të Luftës së Dytë Botërore vdesin çdo ditë. Vetëm rreth 4 milion prej 16 milion veteranëve, që shërbyen në atë luftë, jetojnë ende sot.

82 vjeçari Frank Hayden ishte 22 vjeç dhe shërbeu në marinë gjatë pushtimit të Francës nga forcat aleate. Ai i tha rrjetit televiziv amerikan NBC se përmendorja është një vend për të përkujtuar shokët e tij, që nuk u kthyen gjallë.

“Monumenti u kushtohet atyre që nuk u kthyen dhe ne jemi sot këtu për t’i përfaqësuar ata.”

Gjatë javës së ardhshme, presidenti Bush do të shkojë në Evropë, ku ai do të vazhdojë të përkujtojë mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore gjatë ceremonive në Itali, Angli dhe Francë, para se të kthehet në Amerikë për të kryesuar një takim të nivelit të lartë të vendeve më të industrializuara të botës.

//ze//

XS
SM
MD
LG