Lidhje

Nacionalizmi dhe Shteti, intervistë me Dr. Shinasi Rama - 2004-05-28


Shinasi Rama, një nga studentët aktivë të lëvizjeve për demokraci në Shqipëri, në vitet 90, sot jep lëndën e shkencave politike në universitetin e Nju Jorkut. Zoti Rama para disa ditësh mori titullin Doktor i Shkencave Politike. Dizertacioni i tij, ishte për një temë intriguese: “Në Kërkim të një Shteti Efektiv: Evolucioni i Nacionalizmave Shqiptarë.”

Intervistë e Dr. Shinasi Rama për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, para se të ndalemi tek tema juaj e dizertacionit, ndoshta do të ishte me interes të na tregonit se sa e vështirë ishte për ju, të mbronit gradën Doktor i Shkencave në Amerikë.

Dr. Shinasi Rama: Po, me ardhë si emigrant politik në Amerikë dhe me gjet një sistem të tillë, të hapur, i cili të lejon ty, të hysh me të drejta të barabarta, si çdo qytetar tjetër, ka qënë një favor i pakrahasueshëm. Por nga ana tjetër, mua më është dashur me vështirësi shumë të mëdha ekonomike, me mbështetjen e familjes time këtu dhe në shtetin shqiptar, për të arritur deri në këtë gradë. Për më tepër mandej, gjatë fazës së dizertacionit, ka qënë shumë e vështirë për të gjetur materialet e nevojshme, në mënyrë që të kisha mundësi të kompletoja një temë të tillë, për të cilën është folur shumë, por ka shumë pak të vërteta të dokumentuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, tema juaj është ngacmuese, po të kemi parasysh gjendjen e shqiptarëve në Ballkan, Kosovën drejt rrugës së saj për pavarësi, ose përpjekjet e Shqipërisë për të gjetur vetveten, si të thuash, identitetin e saj pas një izolimi komunist 50 vjeçar. Në çfarë forme shprehen sot nacionalizmat shqiptarë?

Dr. Shinasi Rama: Sot ka praktikisht dy lloj nacionalizmash shqiptarë. Njeri është nacionalizmi i cili i kthehet gjithmonë nacionalizmit etnik të rilindjes kombëtare, i cili kërkon që gjithë shqiptarët, të jetojnë në të njejtin shtet, në bazë të një elementi të identitetit të tyre, që është gjaku, edhe për disa edhe gjuha. Nacionalizmi i dytë është nacionalizmi i udhëheqësve politikë shqiptarë në të gjitha kontekstet, të cilat kërkojnë që shqiptarët të transferojnë besnikërinë e tyre prej kombit të cilit i përkasin, kombit etnik, tek shteti, në të cilin jetojnë. Këto janë kontekstet përkatëse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Mirëpo tensioni midis këtyre dy nacionalizmave është i jashtëzakonshëm, siç u pa gjatë luftës së Kosovës, siç u pa dhe gjatë luftës në Maqedoni. Këto janë në thelb nacionalizmat, që janë dominante në realitetin shqiptar.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, gjatë periudhës së izolimit, shteti komunist trumbetonte me të madhe patriotizmin, por kritikët thonë se shpesh kjo sillte efektin e kundërt, duke i ulur ndjenjat patriotike dhe nacionaliste. A qëndron një kritikë e tillë dhe si është gjendja sot?

Dr. Shinasi Rama: E vërteta është që një kritikë e tillë qëndron. Mirëpo njerëzit harrojnë se Enver Hoxha dhe partia-shtet që ai krijoi, e defermoi idenë e nacionalizmit etnik shqiptar, duke kërkuar që njerëzit t’i ishin besnikë atij vetë dhe shtetit 28 mijë kilometrash katrorë. Gjatë asaj kohe, gjatë sistemit, njerëzit e identifikuan këtë ide të sistemit komunist me idenë e nacionalizmit tradicional të rilindjes. Megjithatë kjo nuk mundi të penetronte totalisht në të gjitha shtresat e shoqërisë. Studentat, për shembull, u ngritën në dhjetor të vitit 1990 me parrullat dhe me këngët e rilindjes. Kjo ishte një shenjë se njerëzit e kërkonin këtë gjë. Nga ana tjetër, ky soj nacionalizmi etnik, nuk mundi me gjetë rrënjë në Shqipëri, pasi me Evropën në anën tjetër të Adriatikut, me sukseset e saj, me shtetet e tyre të suksesshme, shqiptarët kërkuan pikërisht atë gjë, që u ishte ndaluar gjatë atyre 50 vjetëve komunizëm. Ata kërkuan të gjenin suksesin në jetë, një jetë më të lumtur, kërkuan një shtet i cili do të mbronte të drejtat e tyre. Por, për fat të keq, shumë prej njerëzve u zhgënjyen veçanërisht gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Tani gjendja është e tillë, që në thelb lufta politike zhvillohet midis dy grupimeve politike në Shqipëri. Njeri është një grupim elite, i cili kërkon që shteti shqiptar të jetë parësor në identifikimin e njerëzve dhe grupi tjetër, kërkon identifikimin e gjithë shqiptarëve në një komb-shtet të tyren. Këto tensione nuk janë zhdukur, këto tensione vazhdojnë. Gjithshka do të varet nga e ardhmja që Shqipëria do të ketë në Evropë. Në qoftë se shpresa e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe tranzicioni përmbushet dhe në se kjo bëhet shpejt, pasi gjendja është shumë kritike, atëhere dikush mund të shpresojë se nacionalizmi do të mund të evitohet. Përndryshe, në mungesë të një të adhmeje të lumtur dhe të një shprese, në mungesë të një integrimi të mirëfilltë dhe të vërtetë në Evropë, shanset janë, që gjithë shqiptarët, do t’u drejtohen atyre formave të organizimit, të cilat do t’u japin atyre mundësinë, që të kenë një jetë më të mirë dhe siguri. Nacionalizmi është i gatshëm dhe është aty.

XS
SM
MD
LG