Lidhje

Presidenti Bush dhe plani për Irakun - 2004-05-26


Presidenti Bush thotë se koalicioni ndërkombëtar në Irak nuk ka interes ta zgjasë pushtimin dhe se më 30 qershor do të transferohet sovraniteti i plotë në duart e një qeverie të përkohshme. Ndërkohë që shumica e analistëve për Lindjen e Mesme janë dakord se ky do të ishte një hap i rëndësishëm, disa shprehin shqetësim se si do të pritet një gjë e tillë në rajon. Korrespondenti Meredith Buel njofton.

Presidenti Bush thotë se pesë hapat e planin e tij për Irakun që ky vend të bëhet demokratik dhe i lirë, janë dorëzimi i autoritetetit një qeverie sovrane më 30 qershor, vendosja e sigurimit, rindërtimi i insfrastrukturës, inkurajimi për më shumë mbështetje ndërkombëtare dhe përparimi drejt zgjedhjeve kombëtare.

Zoti Bush thotë se ka besim që brezat e ardhshëm të irakianëve do t’u jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara që qendruan të vendosura kundër shtimit së dhunës në vendin e tyre.

”Nuk kam asnjë dyshim se Iraku mund ta arrijë këtë ëndërr të madhe. Nuk kam asnjë dyshim se një ditë fëmijët irakianë do të vijnë në Amerikë dhe do të thonë: i falemi Zotit që Amerika qendroi e patundur. Ajo nuk u trondit përballë dhunës së disave”, tha Presidenti.

Analistët, duke i hedhur një vështrim objektivave afatshkurtëra, shprehin shqetësim në lidhje me dorëzimin e pushtetit më 30 qershor dhe për marrëdhëniet që Shtetet e Bashkura do të kenë me qeverinë e përkohshme Irakiane.

Kenneth Pollack, specialist i çështjeve politike dhe ushtarake në Qendrën Saban për Politikën e Lindjes së Mesme në Washington, thotë se zyrtarët amerikanë nuk duhet të përfshihen intensivisht në përzgjedhjen e udhëheqësve irakianë për administratën e re në Bagdad.

”Një nga gjërat më shqetësuese që kam dëgjuar gjatë ditëve të fundit është se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përfshira në përzgjedhjen e individëve për postet në qeverinë e re kalimtare. Po qe se është e vërtetë, kjo është mjaft shqetësuese për mua, sepse pikërisht tani, në rast se ne shihemi sikur po e manipulojmë këtë proces dhe po përpiqemi të vëmë këtë apo atë në këtë apo atë post, do ta kompromentojmë procesin”.

Shibley Telhami është Profesor për Çështjet e Paqes dhe Zhvillimit në Universitetin e Marylandit.

Ai thotë se shumë njerëz në Lindjen e Mesme dyshojnë dhe mendojnë se transferimi i sovranitetit më 30 qershor nuk do të kalojë pushtet të konsiderueshëm në duart e irakianëve.

”Mendoj se shumëkush në rajon nuk e sheh këtë si një kalim të vërtetë të pushtetit. Ata e shohin atë vetëm si një rrugë që Shtetet e Bashkuara ta çlirojnë veten nga përgjegjësitë në rajon. Ky është një pushtim amerikan që ka të ngjarë të vazhdojë. Mgjithatë, mendoj se shpërndarja e përgjegjësive është e mundur, për shembull, duke u lënë Kombeve të Bashkuara një rol më të madh dhe kjo do të ndihmonte”.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi, po negocion për momentin mbi strukturën e qeverisë së re si dhe për caktimin e irakianëve në postet e administratës kalimtare.

Këta të fundit do ta qeverisin Irakun deri në mbajtjen e zgjedhjeve në fillim të vitit tjetër.

Ivo Daalder, bashkëpunëtor i vjetër shkencor për studimet e politikës së jashtëme në Institutin Brookings të Uashingtonit, thotë se zgjedhjet duhet të jenë në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare pas kalimit të sovranitetit.

”Nëse arrihet të angazhohen bashkarisht autoritetet politike ndërkombëtare dhe ushtarake në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve dhe nëse ky angazhim përfundon pas zhvillimit të zgjedhjeve, kjo do të krijojë një klimë të tillë që misionit në Irak po i vjen fundi. Kombet e Bashkuara duhen bindur ta ndihmojnë qeverinë irakiane në zhvillimin e zgjedhjeve. Fondit Monetar mund t’i jepej gjithashtu rol kryesor. Po kështu, forca shumëkombëshe dhe forcat e stërvitura irakiane të sigurimit do të mbushnin zbrazëtinë që ekziston tani në aspektin e sigurimit dhe do të garantonin sigurinë për zgjedhjet”.

Presidenti Bush thotë se të paktën 138 mijë ushtarë do të qendrojnë në Irak dhe të tjerë do të dërgohen, nëse komandantët kërkojnë trupa-shtesë.

Ai thotë se praktikisht atje do të ketë 260 mijë ushtarë, policë dhe forca të tjera irakiane sigurimi.

XS
SM
MD
LG