Në Shqipëri, komisioni parlamentar i Integrimit dhe ai i politikës së jashtme miratuan të mërkurën një projekt-rezolutë lidhur me angazhimin e institucioneve shqiptare në përmbushje të detyrimeve për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit.
Në tekstin e miratuar me konsensus i kërkohet qeverisë që brenda muajit qershor të detajojë të gjithë hapat që do të ndërmerren në plotësimin e standarteve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Kërkohet gjuthashtu që brenda muajit shtator të përgatitet dhe miratohet legjislacioni që lidhet me konfliktin e interesave, mospengimin e hetimeve për shkak të imunitetit dhe garantimin e shmangies së abuzimeve në emërimet në administratën publike.
Ndërsa brenda 2 muajve duhet të paraqitet në kuvend ligji për transparencën në financimin e partive politike. Sipas tekstit të projekt rezolutës duhet gjithashtu një koordinim dhe veprim më konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Projekt rezoluta e cila duhet të miratohet nga parlamenti, vjen pas raportit kritik të Komisionit Europian lidhur me ecurinë e procesit të bisedimeve për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit.
Shqipëria, Kosova nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për eliminimin e taksave të dyfishta
Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për eleminimin e taksave të dyfishta. Këtë e bëri të ditur sot në Tiranë ministri shqiptar i Financave Arben Malaj gjatë një takimi me delegacionin ekonomik të qeverisë së Kosovës në përbërje të të cilit ndodheshin një grup i madh ekspertësh të administratës fiskale.
Kjo marrëveshje, si dhe ajo e Nxitjes së Investimeve dhe e Tregtisë së lirë e cila tashmë ka hyrë në fuqi do të mund të krijojnë kuadrin e plotë që ti japë një shtysë intensifikimit të marrëdhënieve të biznesit mes dy vendeve, deklaroi ministri Malaj.
Sipas tij, ky bashkëpunim do të ndihmohet nga politika fiskale që mbështesin rritjen ekonomike dhe modernizimin e administratave tatimore. Vetëm në këtë mënyrë dhe nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, tha ai do të arrihet të ngrihet një infrastrukturë e aftë të luftojë krimin ekonomik evazionin fiskal, kontrabandën, pastrimin e parave.//kk//