Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Shqipëri - 2004-05-18


Departamenti amerikan i Shtetit i paraqiti Kongresit raportin me titull Mbështetja për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë për vitin 2003-2004. Ky është një dokument i përvitshëm ku Departamentit të Shtetit i kërkohet të raportojë mbi masat e marra nga qeveria amerikane për inkurajimin e respektimit të të drejtave të njeriut në botë.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri thuhet në raport, vazhdon të jetë e dobët në disa fusha, ndonëse ka patur përmirësime në disa të tjera. Përparimi i Shqipërisë për nxitjen e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut është penguar, në shkallë të ndryshme, nga korrupsioni, dobësia e institucioneve dhe mungesa e një tradite demokratike.

Disa nga sukseset kryesore, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, janë përmirësimet në zgjedhjet vendore, miratimi i një ligji historik për deklarimin e pasurive të zyrtarëve dhe për luftën kundër pastrimit të parave.

Strategjia amerikane, thuhet në raport, e ve theksin te përmirësimi i organizimit të zgjedhjeve dhe te besueshmëria e tyre, te zgjerimi i pjesmarrjes së qytetarëve në çështjet publike, te forcimi i institucioneve legjislative dhe civile, përfshirë mediat, si dhe te përmirësimi i aftësisë së qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Këto çështje, thuhet më tej në raport, janë ngritur në komentet publike që kanë bërë zyrtarët e ambasadës amerikane dhe në takimet private që ata kanë patur me zyrtarët qeveritarë. Po ashtu këto probleme janë theksuar edhe nga zyrtarët e lartë amerikanë që kanë shkuar në Shqipëri, përfshirë Sekretarin e Shtetit Colin Powell, Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe Drejtorin e Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar Andrew Natsios.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në raport, kanë mbështetur disa nisma në Shqipëri, si Koalicionin kundër Korrupsionit, një organizatë ombrellë që përfshin 210 organizata jo-qeveritare, po ashtu kanë mbështetur Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve, që ofron ndihmë ligjore falas për rastet kundër korrupsionit.

Në sektorin e rendit, Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka mbështetur krijimin e Zyrës së Kontrollit të Brendshëm në policinë shqiptare, ku ndodhet një këshilltar i përhershëm amerikan. Si rezultat i hetimeve të kësaj zyre, thuhet më tej në raport, është shtuar numri i arrestimeve, shkarkimeve dhe masave të tjera disiplinore kundër oficerëve të policisë të akuzuar për korrupsion dhe abuzim në detyrë, përfshirë një oficer të lartë në aeroportin Nënë Tereza, i përfshirë në trafikimin e emigrantëve.

Si rezultat i programeve kualifikuese të Shteteve të Bashkuara për gjykatësit dhe zyrtarët e tjerë ligjorë, është përmirësuar ndjekja ligjore e kriminelëve, që më parë konsideroheshin si të paprekshëm. Një numër gjykatësish janë pushuar nën akuzat për korrupsion.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në raport, janë të angazhuara për të eliminuar trafikun e qënieve njerëzore dhe po bashkëpunojnë me qeverinë kundër ketij fenomeni. Në vitin 2003 qeveria amerikane financoi Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve e cila u ofron shërbime viktimave të trafikut. Programet amerikane po ashtu ndihmojnë për riintegrimin në shoqëri të viktimave, për forcimin e të drejtave ligjore të grave, për rastet që kanë të bëjnë me trafikimin. Programet amerikane, po ashtu, synojnë ndihma për rastet e dhunës në familje dhe krijimin e Kodit të Familjes. Qeveria amerikane, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, ka dhënë 70 mijë dollarë për Qendrën Kombëtare të Rintegrimit, e cila filloi t’u ofrojë ndihmë jo vetëm viktimave të vendeve të treta, por edhe viktimave shqiptare të trafikut.

XS
SM
MD
LG