Helikopterë izraelitë goditën me 5 raketa zyrën në qytetin e Gazës të lëvizjes politike Fatah të presidentit palestinez, Jaser Arafat.
Dëshmitarët thanë se ndërtesa në lagjen Zeitoun ishte bosh në kohën e sulmit dhe si rezultat nuk pati viktima.
Sulmi me raketa u krye disa orë pasi Izraeli tha se do t’i intensifikojë operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, përfshirë shkatërrimin e shtëpive dhe intensifikimin e sulmeve ajrore, në përpjekje për të përmirësuar sigurinë përgjatë kufirit Gaza-Egjipt.
Vendimi i djeshëm i kabinetit u mor pasi Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi që shtëpitë në kampin e refugjatëve Rafah mund të shëmben nëse ato përbëjnë kërcënim për sigurinë.
Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë se mund të jetë e domosdoshme që të shëmben qindra shtëpi në kampin Rafah, për të cilat ata thonë se përdoren nga ekstremistët për të kryer sulme dhe për të futur armë kontrabandë nga Egjipti.
Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, thotë se Washingtoni kundërshton shëmbjen e shtëpive.
Po dje, mjetet izraelite të informimit bënë të ditur se ushtarët izraelitë vranë të paktën 3 palestinezë të armatosur pranë komunitetit Nahal Oz në kufirin midis Izraelit dhe Gazës. Fillimisht u njoftua se 4 palestinezë u vranë.
Incidenti pasoi një javë të dhunshme në Gaza, ku gjatë përleshjeve u vranë 13 ushtarë izraelitë dhe të paktën 32 palestinezë.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Ariel Sharon po vazhdon hartimin e një plani të ri për tërheqjen e vend-banimeve nga Gaza, të cilin do t’ia paraqesë kabinetit të tij brënda pak javësh.
//ze//