Ndër shekuj njerzimi ka parë shumë luftëra. Disa janë bërë për të treguar fuqinë e disa për famë. Por luftrat që janë kthyer në legjenda e transmetohen nga brezi në brez, shumë prej tyre kanë patur si shkak nderin dhe dashurinë. Një nga këto legjenda është edhe lufta e Trojës për mbretëreshën Helenë. Kjo legjendë bazuar në Iliadën e Homerit vjen sot në kinematë amerikane përmes filmit të ri Troja me aktorin kryesor, Brad Pitt.
Pasioni i dy të dashuruarve më legjendarë të kohës në Greqinë e lashtë, Parisit, princit të Trojës dhe Helenës, mbretëreshës së Spartës, ndez një luftë që do të çudiste civilizimin e asaj kohe. Grabitja e Helenës nga Parisi shkakton një turp të madh për burrin e saj, mbretin Menelaus, vëllanë e mbretit Agamemnon. Vëllezërit bashkohen për të vënë në vend nderin e familjes, ndërkohë që në skenë shfaqet edhe luftëtari më i fuqishëm i të gjitha kohërave, Akili, luajtur nga Brad Pitt.
Akili rebel, arrogant dhe i pakapshëm nga shpata e armikut, i etur për famë, niset drejt portave gjigande të Trojës nën udhëheqjen e Agamemnonit. Troja, qyteti fortesë me mure të larta, udhëhiqet nga mbreti Priam e mbrohet rreptësisht nga princi Hektor.
Ky qytet është një kala që asnjë ushtri armike nuk ka mundur ta thyejë. Por vetëm një njeri do të jetë çelësi i fitores apo humbjes së Trojës. Ky njeri është Akili, të cilit bukuria e mbretërshës Helenë i ka ndezur gjakun për luftë. Lufta legjendare për nder dhe dashuri do të sjellë edhe shkatërrimin e një vendi dhe popullit të tij.
Nga lufta legjendare për dashuri tek lufta me dragonj dhe mbretër famëkeqë po për dashuri. Bëhet fjalë për pjesën e dytë të filmit tre dimensional dixhital, Shrek, që del në kinematë amerikane të mërkurën që vjen, duke hapur paksa para kohe sezonin veror të filmave.
Përsonazhi krysor i filmit, Shrek, dhe bashkëshortja e tij, princeshë Fiona janë ftuar nga prindërit e princeshës, mbreti dhe mbretëresha e Mbretërisë Shumë shumë të Largët.
Shrek, zëri i të cilit interpretohet nga komediani Mike Myers dhe Princesha Fiona, me zë të dubluar nga Cameron Diaz, nisen për në marrë pjesë në darkën e prindërve të saj. Bashkë me ta është edhe gomari i famshëm. Por të dashuruarit nuk e dinë planin e fshehtë të prindërve të nuses për fatin e saj dhe të mbretërisë. Mbreti ndodhet në kërkim të një magjistareje, një princi për ti marrë mendjen vajzës dhe një gjahtari për të vrarë Shrekun. Pjesa e dytë e filmit të famshëm tre dimensional vizatimor, pritet të ketë shumë sukses si tek fëmijët por edhe të rriturit.
Për xhirimin e filmit u shpenzuan 70 milion dollarë, 30 milion prej të cilave shkuan në xhepat e Mike Myers, Cameron Diaz dhe Edie Murphy-it, nga 10 milion secili.
Ndërkohë që pjesa e dytë e filmit nuk ka dalë akoma në kinema, puna ka filluar për pjesën e tretë.
C'po ndodh me procesin gjyqësor në ngarkim të lojtarit të famshëm të basketbollit, Kobe Bryant? Pothuajse 11 muaj që nga arrestimi i tij, ylli i sportit ka deklaruar pafajësinë ndaj akuzës për përdhunimin e një vajze.
Gjatë paraqitjes së tij para gjykatësit të përgjithshëm në Eagle të Kolorados, Kobe Bryant tha vetëm katër fjalë. Pyetjes nga gjykatësi nëse e kuptonte akuzën dhe pasojat që mund të kishte nga kjo, sportisti ju përgjigj prerazi po. Më pas ai hodhi poshtë akuzën duke thënë se ishte i pafajshëm. Gjykatësi e mbylli seancën duke thënë se në takimin e radhës do të përcaktonte datën se kur do të zhvillohet gjykimi. Ndërkohë njoftohet se paditësja 19 vjeçare nuk mori pjesë në këtë senacë.
Lojtari 25 vjeçar, Kobe Bryant ka pohuar se ka patur marëdhënie intime me pëlqimin e vajzës, verën e kaluar në hotelin ku punonte ajo. Nëse gjendet fajtor, Bryant mund të denohet nga 20 vjet deri burgim të përjetshëm.