Lidhje

Patten: Bashkëpunimi me Hagën, kusht për integrimin e Beogradit në BE - 2004-05-11


Komisioneri i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Chris Patten i deklaroi Serbisë dhe Malit të Zi se dorëzimi i personave të dyshuar për krime lufte në Gjykatën e Hagës është një parakusht për integrimin e Beogradit në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar pas takimit me zëvendësministrin e jashtëm të Serbisë dhe Malit të Zi, Predrag Boskovic, zoti Patten tha se përmbushja e kërkesave të Gjykatës së Hagës është një kusht kryesor për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Ai tha se u kishte thënë zyrtarëve serbë se ata duhet të zgjedhin midis mbështetjes për ata që akuzohen për krime lufte dhe ecjes në rrugën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë dhe Malit të Zi tha para kësaj se ai po punonte për ekstradimin e personave kryesorë të dyshuar për krime lufte në gjykatën e Hagës. Presidenti Svetozar Marovic i tha agjencisë së lajmeve Associated Press news se këtu përfshihet gjenerali i serbëve të Bosnjes Ratko Mladic, i cili është akuzuar për implikim në masakrën më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në listën e personave më të kërkuar nga Gjykata e Hagës janë gjithashtu 4 gjeneralë: Nebojsa Pavkovic, Vladimir Lazarevic, Sreten Lukic dhe Vlastimir Djordjevic, të cilët komandonin trupat serbe në Kosovë gjatë masave ndëshkuese kundër shqiptarëve që kërkonin pavarësi në vitet 1998-1999.

Kryeministri i sapozgjedhur i Serbisë, Vojislav Kostunica, ka thënë se ekstradimi i personave të akuzuar në Hagë nuk është pjesë e përparësive të tij.

Por zoti Patten e bëri të qartë se nëse Serbia dhe Mali i Zi do të bashkohen me familjen evropiane, kjo është tani në duart e udhëheqësve politikë.

Ai theksoi gjithashtu më parë në Kosovë nevojën për të kapërcyer tensionet etnike pas një dekade luftrash ballkanike dhe në prag të bisedimeve për të ardhmen e Kosovës.

Zoti Patten i bëri gjithashtu thirrje shumicës shqiptare që t’i shtrijnë dorën e miqësisë dhe të tolerancës pakicës serbe.

Të paktën 19 persona u vranë në muajin mars gjatë përleshjeve etnike, më të përgjakshmet që nag viti 1999, kur Kosova u vu nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG