Administrata e Presidentit Bush po shpreh mbështetje të fortë për Sekretarin e Mbrojtjes Donald Ramsfeld, megjithë thirrjet që ai të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga detyra për shkak të skandalit rreth abuzimit të të burgosurve irakianë.
Sipas gazetës Nju Jork Tajms, këshilltarja për sigurinë kombëtare, Kondaliza Rajs, tha se Presidenti Bush vazhdon të shprehë mbështetjen më të fortë për zotin Ramsfeld. Nën-presidenti Dik Çeni e cilësoi zotin Ramsfeld si Sekretarin më të mirë të Mbrojtjes që kanë pasur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara.
Mirëpo, gazeta Uashington Post thotë se në radhët e komandantëve ushtarakë amerikanë po vihen re çarje të thella në lidhje me politikën amerikane në Irak dhe mbështetjen për zotin Ramsfeld.
Gjeneral Majori Çarls Suanek shpreh mendimin se forcat amerikane po fitojnë nga aspekti ushtarak, por thekson se duke mos arritur të sigurojnë mbështetjen e popullit irakian, për çlirimin e të cilit janë dërguar atje, ato mund të jenë duke humbur betejën strategjike.
Një gjeneral tjetër i lartë citohet të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt disfatës në Irak. Gjenerali, i cili kërkoi të mos identifikohej, fajësoi drejtpërdrejt zotin Ramsfeld dhe Zëvendës-sekretarin e Mbrojtjes Paul Uolfovitz për mos hartimin e një strategjie lufte me një plan të plotë për tërheqjen nga ai vend.
Zoti Uolfovitz u tha gazetarëve se nuk mendon që Shtetet e Bashkuara po e humbasin luftën në Irak dhe shtoi se asnjë oficer i lartë nuk i ka shprehur atij dyshime rreth luftës.//ii