Lidhje

Mediu: në Shqipëri mungon vullneti politik i qeverisë për të ecur në rrugën e reformave - 2004-04-19


Në Shqipëri, komisionet parlamentare kanë filluar diskutimet rreth raportit të fundit të Komisionit Europian për ecurinë e vendit në procesin e Stabilizim-Asocimit gjatë vitit 2003. Këto diskutime po i paraprijnë një seance debati që do të zhvillohet në 3 maj. Kërkesa për këtë debat ishte paraqitur nga grupe parlamentare të opozitës dhe u pranua edhe nga përfaqësuesit e shumicës së majtë. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë ishte mjaft kritik. Opozita bëri përgjegjëse qeverinë e cila, sipas saj, po pengon integrimin e vendit në strukturat evropiane. Ndërsa qeveria e Kryeministrit Nano i cilësoi kritikat si realiste duke deklaruar se rekomandimet e tij janë në përputhje dhe me vetë objektivat e saj. Në lidhje me këtë çështje, Zëri i Amerikës intervistoi drejtpërdrejt në emisionin ”Ditari” Kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mehdiu, i cili është edhe Kryetar i Komisionit për Integrimin të Parlamentit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, sa i rëndësishëm dhe rezultativ mendoni se do të jetë debati parlamentar që ka filluar rreth raportit të Bashkimit Evropian. A mendoni se ai vërtetë mund të nxisë përshpejtimin e procesit të Stabilizim-Asocimit?

Fatmir Mehdiu: Së pari, dua të sqaroj që, ndryshe nga herët e tjera, parlamenti është angazhuar në një debat rreth raportit të Komisionit, i cili konsiston në diskutimin në komisione të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë Komisionin e Ekonomisë, të Ligjeve Kushtetuese, Komisionin e Rendit dhe Shishit dhe Komisionin e Bujqësisë, pra, këto komisione kryesore që janë cilësuar si fusha kryesore të reformave në raport. Ky synon në një diskutim të parlamentarëve rreth raportit të Komisionit Evropian, njëkohësisht edhe një përgjegjësi të ekzekutivit shqiptar, sepse dihet se sipas Kushtetutës, parlamenti shqiptar jo vetëm miraton ligjet, por kontrollon edhe implementimin e tyre, ku është edhe pika më e dobët e ngritur në raport, që qeveria shqiptare, pavarësisht nga ligjet e aprovuara në parlament, ka treguar mungesë të vullnetit politik dhe paaftësi të implementimit të reformave dhe të marrëveshjeve të nënshkruara, apo të strategjive të përcaktuara nëpërmjet parlamentit dhe bashkëpunimit të forcave politike. Sa rezultat pozitiv do të sjellë ky debat në komisione?...

Zëri i Amerikës: ...Pikërisht, këtu do të thoja se edhe vitin e kaluar Parlamenti zhvilloi një debat, hartoi dhe një rezolutë, ku u lanë edhe detyra me afate kohore. Por, siç thuhet edhe në raportin e Komisionit Europian, kjo rezolutë nuk u zbatua siç duhet. Madje, edhe vetë opozita nuk kërkoi më llogari për moszbatimin e saj.

Fatmir Mehdiu: Unë besoj që historia është disi ndryshe, megjithatë dua të theksoj që pikërisht nisur nga hera e fundit në parlament, ne menduam që këtë radhë të zhvillohej krejt ndryshe dhe rezoluta e miratuar vitin e fundit për raportin e kaluar të Komisionit Evropian ishte një rezolutë e kërkuar nga opozita shqiptare dhe që arriti konsensus. Pikat kryesore ishin ndërtimi i një strategjie kombëtare për integriminin evropian, që do të përfshinte në një angazhim konkret të gjithë institucionet; e dyta, ishte lufta kundër krimit të organizuar e trafikëve, që përmendet si momenti më i vështirë i situatës në Shqipëri edhe në raportin e ri, me disa propozime konkrete të opozitës, në mënyrë të veçantë, të Partisë Demokratike, për t’u marrë në konsideratë. Ne kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme konsiderimin e kësaj rezolute, por për fatin e keq, qeveria ka qenë tërësisht indiferente, tërësisht e painteresuar për të zbatuar këtë rezolutë. Unë do të theksoja, që në raportin e Bashkimit Evropian, sintezën e marrëdhënieve e ka përcaktuar zoti Patten që shqiptarët shprehen për vullnet dhe integrim evropian, por nga ana tjetër, realiteti është krejt ndryshe: mungon vullneti politik i qeverisë për të ecur në rrugën e reformave. Dhe për fatin e keq, ajo që vihet re tani në Shqipëri, është që qeveria, në mënyrë të veçantë kryeministri, e shikon në mënyrë krejt të sipërfaqshme raportin e Komisionit Evropian, jo si një analizë të detajuar, por si një realitet që vjen për shkak të një perceptimi të gabuar të institucioneve ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë, të Bashkimit Evropian, dhe të mungesës së punës së mjaftueshme nga ana e diplomatëve shqiptarë nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kjo, në një lloj mënyre, është një sfidë që i bëhet drejtpërdrejt institucioneve evropiane dhe besoj që zoti Nano akoma nuk ka kuptuar dhe konceptuar siç duhet se procesi i integrimit evropian është një proces i brendshëm që zhvillohet në Shqipëri, monitorohet e asistohet nga Bashkimi Evropian, dhe jo e kundërta.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, në Raportin e Komisionit Evropian rekomandohet që Komisioni Parlamentar i Integrimit të kthehet në një komision të përhershëm, me detyra të përcaktuara qartë. Sipas mendimit tuaj, cili duhet të jetë roli i Komisionit?

Fatmir Mehdiu: Edhe kjo është po ashtu një kërkesë e shtruar prej kohësh nga ana e jonë dhe unë, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Integrimit, kam shtruar kërkesën që të kthehet në një komision permanent për t’i dhënë autoritetin e plotë Parlamentit shqiptar. Unë mendoj që do të jetë brenda fushës që ka Parlamenti shqiptar, që është përcaktuar në Kushtetutë: e para, ndërtimi i legjislacionit në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian apo marrëveshjet e nevojshme të paketës ”Acquis Communitaire”; nga ana tjetër, e të gjithë punës së qeverisë shqiptare për zbatimin e detyrimeve karshi Bashkimit Evropian. Ajo që është e rëndësishme, si puna e këtij komisioni, gjithashtu është ruajtja e konsensusit politik ndërmjet forcave politike, sepse ky proces e ka shumë të rëndësishëm konsensusin politik të forcave, por njëkohësisht, ai nuk duhet të jetë i sipërfaqshëm. Gjithashtu, puna e këtij komisioni duhet të synojë në një bashkëpunim rajonal me parlamentet e tjera për të dhënë përvojë dhe për të përfituar përvoja pozitive. Mendoj që legjislacioni shqiptar ka një rol të veçantë në këtë proces, por duhet kuptuar mirë nga ana e mazhorancës dhe opozitës, që ky rol nuk mund të kryhet duke qenë thjeshtë mbështetëse e nismave të qeverisjes shqiptare, por sidomos të një analize të thellë të procesit dhe një lloj monitorimi dhe kërkese e vazhdueshme karshi qeverisjes, që të zbatojë detyrimet.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu ju keni propozuar ngritjen e Komitetit të Madh për Integrimin që duhet të kryesohet nga presidenti. A nuk mendoni se po ngrihen njëkohësisht shumë struktura paralele dhe në thelb ato nuk është se po ndikojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit?

Fatmir Mehdiu: Më lejoni të sqaroj që një nga pikat e ngritura nga Komisioni Evropian është mosfunksionimi i koordinimit institucional. Pra, ndërmjet të gjithë institucioneve të involvuara e të pushteteve të involvuara në procesin e integrimit evropian, sepse integrimi kap të gjithë sferën e zhvillimit të qeverisjes në vend dhe, në këtë aspekt, mungon, se për shkak të pavarësisë që përcaktohet në kushtetutë, ndonjëherë kjo konsiderohet edhe absolute. Duke qenë si e tillë, është e vështirë ndonjëherë, për shembull, për t’u futur në gjyqësor, apo reciprokisht në marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit dhe ekzekutivit. Ideja e Komitetit të Madh të Integrimit është ideja e një ”Komiteti Konsultativ”, e cila mbledh dhe diskuton në një tryezë të përbashkët diskutimi të gjithë aktorët kryesorë. Pra, Presidenti i Republikës, duke drejtuar një komision ku bën pjesë Kryeministri, Ministri i Jashtëm, Ministri i Integrimit, Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Kryetari i Komisionit të Integrimit, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, liderët kryesorë të grupeve parlamentare të mëdha të grupeve të pozitës dhe të opozitës, do të bëjë të mundur, në radhë të parë, një analizë të procesit të integrimit evropian të marrëdhënieve me BE-në; e dyta, koordinim të marrëdhënieve institucionale të politikave dhe strategjive dhe, e treta, në mënyrë të padiskutueshme, ruajtjen e një konsensusi. Por ajo që është më e nevojshme është një lloj ”follow up” i të gjitha aktiviteteve të politikave integruese mbas çdo rasti negociatash, apo diskutimesh me BE-në. //az//

XS
SM
MD
LG