Lidhje

Gjykata e Hagës: vrasjet në Srebrenicë, gjenocid - 2004-04-19


Gjykatësit e Apelit në Gjykatën e Hagës e kthyen mbrapsht dënimin e vetëm për genocid të kësaj gjykate. Ata e shpallën ish-Gjeneralin e serbëve të Bosnjes, Radislav Krstic fajtor për krimin më të lehtë të bashkëpunimit për genocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995 dhe i ulën vitet e dënimit të tij me pothuajse një të katërtën.

Megjithëse ky vendim mund të jetë një humbje për prokurorët, gjykatësit e apelit nuk e hodhën poshtë përfundimin më kryesor të shkallës më të ulët, që ajo që ndodhi në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ishte genocid.

Gjatë një periudhe pesëditore, trupat e serbëve të Bosnjes ekzekutuan në mënyrë sistematike 7 deri në 8 mijë meshkuj myslimanë në një veprim për të cilin gjykatësi Theodor Meron tha se kishte si qëllim të simbolizonte fatin e të gjithë myslimanëve boshnjakë. “Dhoma e apelit deklaron pa lënë vend për dyshime se ligji dënon qartë pasojat e thella dhe afatgjata të shkaktuara dhe e përkufizon masakrën e Srebrenicës me emërtimin që i takon: genocid. Persona përgjegjës do të mbjanë mbi vete peshën e turpit dhe kjo do të jetë një paralajmërim për ata që në të ardhmen mund t’u shkojë ndër mend të kryejnë një akt kaq të tmerrshëm”, tha gjykatesi.

Gjeneral Radislav Krstic, ish-komandant i Trupës së serbëve të Bosnjes Drina, ishte një nga personat përgjegjës. Por apeli përqendrohej tek përmasat e përgjegjësisë së tij.

Procesi i parë arriti para tre vjetësh në përfundimin se Krstic ishte një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në masakra. Gjykatësit deklaruan se ai kishte patur synimin e mjaftueshëm për t’u konsideruar përgjegjës për genocid. Bëhet fjalë për synimin për të asgjësuar një grup të tërë njerëzish, apo pjesë të tij, në këtë rast myslimanët e Bosnjës.

Por gjyqtari i Apelit, zoti Meron shpjegoi se ishte një akuzë jashtëzakonisht e rëndë për t’u provuar për një nga krimet më të rënda. Dhe në këtë rast, tha ai, prokurorët nuk arritën ta provonin një gjë të tillë dhe gjyqtarët gabuan që e dënuan Krsticin për genocid. “Dhoma e Apelit mendon që gjithçka që mund të vërtetohet nga provat është që zoti Krsic ishte në dijeni të synimit për të kryer genocid nga ana e disa anëtarëve të Stafit të tij të afërt, megjithatë nuk bëri asgjë për të parandaluar përdorimin e Trupës Drina dhe të burimeve që kontribuan për të lehtësuar këto vrasje”.

Me fjalë të tjera, apeli arriti në përfundimin që prokurorët nuk kishin arritur të provonin se Krstic kishte domosdoshmërisht synimin për genocid, por që ai ndihmoi ata të cilët ai e dinte se e kishin një qëllim të tillë. Për këtë arsye gjykatësit e shpallën atë fajtor se kishte ndihmuar dhe mbështetur genocidin.

Krstic dukej nervoz kur gjykatësit deklaruan uljen e periudhës së dënimit të tij nga 46 vjet në 35 vjet. Avokati i tij e quajti vendimin në rregull.

Prokurorët thanë se do ta shqyrtojnë atë për të zbuluar se ku çalonin argumentat e tyre. Por ata theksuan se përfundimi i gjykatës se vrasjet e Srebrenicës përbënin genocid është shumë i rëndësishëm për procese të tjera.

//rd//

XS
SM
MD
LG