Qeveria e Serbisë po përgatit një plan për autonominë e Serbëve në Kosovë. dhe ka formuar një komisionin me ekspertë e politikanë, i cili duhet të përgatisë zgjidhjen institucionale të autonomisë territoriale për serbët në Kosovë. Këto zgjidhje duhet t’i miratojë Kuvendi republikan.
Sipas mediave serbe Komisioni është formuar në bazë të Rezolutës se Kuvendit të Serbisë mbi Kosovën, miratuar para dy javësh dhe udhëhiqet nga Slobodan Samarxhiç, këshilltar për politikë të jashme të kryeministrit Vojisllav Koshtunica.
Komisioni i përbërë nga politikanë e ekspertë, duhet ta kryejë punën shpejt dhe zgjidhjet e propozuara do t’ia dërgojë Qeverisë dhe parlamentit për miratim. Sipas burimeve jozyrtare, njësitë territoriale në të cilat do të duhej të jetojnë të gjithë serbët nuk do të quhen kantone për shkak të reagimeve negative në Evropë, por do të gjendet ndonjë emër tjetër i përshtatshëm me përmbajtje të ngjashme.
Këto zgjidhje i konfirmon edhe kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica i cili për gazetën e sotme "Politika" të Beogradit, ka thënë se qeveria e tij nuk do të heqë dorë nga ideja për autonominë për serbët në Kosovë, duke shtuar se për momentin duhe të gjenden instrumenta të realizueshme për t’u mbrojtur serbët dhe joshqiptarët.
Ai theksoi se nuk sheh arsye pse autonomia e cila kudo konsiderohet si parim demokratik, nuk mund të zbatohet vetëm në Kosovë, dhe shton se nuk ka rëndësi se si do të quhet kjo zgjidhje institcionale, kanton apo decenetralizim.
Mirëpo, kryeministri serb i cili kohë më parë është angazhuar për ndarjen e Kosovës në entite, tani konesideron se ajo nuk është zgjidhje e mirë, sepse do të ishte hyrje në ndarje të reja në rajon dhe sjellje e mëtejme në pikëpyetje të integritetit të Serbisë dhe Malit të Zi.
Ai ka thënë se nuk është i kënaqur me Planin mbi jetësimin e Standardeve për Kosovën, me konstatimin se si të tilla standardet nuk kanë lidhje me realitetin në Kosovë. Po ashtu ai kritikoi Shërbimin Policor të Kosovës i cili, sipas tij, i ka ndihmuar haptas ekstremistët shqiptarë gjatë valës së fundit të dhunës, si edhe një pjesë të institucioneve kosovare dhe udhëheqësit shqiptar se kanë qenë të lidhur me, siç tha ai, spastrimin etnik që ka ndodhur më 17 mars.
Kryetari i Qendrës bashkërenduese për Kosovën, Nebojsha Çoviq deklaroi se oferta e zyrtarëve politik të shqiptarëve të Kosovës që midis serbëve dhe shqiptarëve të nënshkruhet kontrata për mirëbesim, është një mashtrim i ri dhe vazhdim i hipokrizisë pas spastrimti të ri entik në Kosovë, siç u shpreh ai.
Ai tha për mediat serbe se ai që e ka djegur kisha, fshatra, ka përndjekur etnikisht dhe e ka vrarë popullin kurrë nuk mund të ofrojë pajtim. Çoviq konsideron se letra drejtuar serbëve në të vërtetë është blerje kohe, marketing dhe qëllim që shqiptarët të tregohen para bashkësisë ndërkombëtare si të pafajshëm.
E gjithë kjo, sipas tij, tregon se spastrimi etnik dhe përndjekja e serbëve po orvaten të realitivizohen në tërësi, dhe thekson se mund të firmosen me qindra kontrata të tilla, por pas disa muajve do të përsëritet e njejta gjë.
Çoviq ka theksuar se është kuptimplotë fakti që nismëtar i kësaj kontrate mbi mirëkuptimin midis shqiptarëve e serbëve është Hashim Thaçi, për të nënvizuar se "gjakatari kurrë nuk mund të falet". //kk//