Shtetet e Bashkuara kritikuan dje republikën sërbe të Bosnjes që dështoi të përmbushte detyrimet e saj për të ndihmuar në arrestimin e personave të dyshuar për krime lufte në ish Jugosllavi. Kritika pasoi një operacion të dështuar nga forcat e NATO-s për kapjen dhe arrestimin e ish-udhëheqësit politik të serbëve të Bosnjes, të akuzuar për krime lufte, Radovan Karaxhiç, gjatë të cilit u plagosën dy civilë.
Operacioni gjatë natës prej trupave të Forcës Stabilizuese të udhëhequr nga NATO-ja në Bosnje, S-FOR, ishte i treti i këtij lloji në muajt e fundit, i cili kishte për qëllim kapjen dhe arrestimin e Radovan Karaxhiçit, i cili është akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerzimit nga koha kur ishte president i republikës sërbe të Bosnjes në fillim të viteve 90-të.
Trupat e S-Forit, duke vepruar në bazë të një informate, përdorën eksploziv për të hyrë në shtëpinë e një prifti ortodoks sërb në Pale, kryeqyteti sërb i Bosnjes në kohën e luftës, ku mendohej se ishte fshehur zoti Karaxhiç.
Prifti dhe djali i tij u plagosën rëndë nga ky operacion i dështuar, i cili shkaktoi një protestë plot zemërim nga rreth 2 mijë veta në këtë qytet bazë të sërbëve të Bosnjes.
Në një konferencë shtypi në departamentin e shtetit, zëdhënësi Adam Ereli, tha se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje për viktimat, por ai shtoi se fajin duhet ta mbajnë autoritetet sërbe të Bosnjes dhe ish zyrtari, që vazhdon t’u fshihet autoriteteve të rendit.
“Pa dyshim që shprehim keqardhje për plagosjen e civilëve, por do të theksoja se aleatët tanë të NATO-s në S-FOR u detyruan të përdorin forcën për të kapur Karaxhiçin sepse ai vetë nuk i është dorëzuar gjykatës së Hagës. Madje Republika Sërbe e Bosnjes nuk ka marrë asnjë masë konkrete për të përmbyshur detyrimet e veta në bazë të marrëveshjes së Daytonit dhe detyrimet e Kombeve të Bashkuara për ta nxjerrë para drejtësisë Karaxhiçin dhe persona të tjerë të paditur për krime lufte.”
Zëdhënësi Ereli tha se qeveria amerikane është e vendosur për sjelljen para drejtësisë të zotit Karaxhiç dhe personave të tjerë të paditur për krime lufte që të nxirren para drejtësisë dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për ta bërë këtë realitet.
Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë ngriti 16 akuza kundër zotit Karaxhiç në vitin 1995 për burgosjen e myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjes në kampe përqëndrimit si dhe për masakrimin e më shumë se 7 mijë burrave dhe djemve pas hyrjes së trupave sërbe në Srebrenicë.
NATO-s i është bërë trysni në rritje për të arrestuar zotin Karaxhiç dhe të akuzuar të tjerë para se të tërhiqet nga Bosnja, tërheqje e planifikuar për në fund të këtij viti.
Operacioni i S-Forit në Pale u krye një ditë pasi administrata e presidentit Bush njoftoi të mërkurën pezullimin e ndihmave amerikane për Sërbinë e Malin e Zi pasi arriti në përfundimin se autoritetet e Beogradit nuk po bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën e Hagës. Ky vendim bën që Sërbia të mos marrë rreth 25 milion dollarë ndihma.
Departamenti amerikan i shtetit vuri në dukje se ish komandanti i ushtrisë sërbe të Bosnjes, Ratko Mlladiç, dhe 15 persona të tjerë të paditur për krime lufte e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në Sërbi dhe se zoti Mlladiç, figurë tjetër e rëndësishme në masakrën e Srebrenicës, ka qënë në pozitë për t’u kapur më shumë se një herë.
//ze//