Lidhje

Grosman në Beograd - 2004-03-30


Nënsekretari amerikan për Çështje Politike Marc Grossman dënoi përsëri dhunën e kohëve të fundit në Kosovë dhe theksoi rëndësinë që ka parandalimi i përsëritjes së veprimeve të tilla.

Zyrtari i lartë amerikan tha se autorët e dhunës së para dy javëve duhet të çohen para drejtësisë. Ai i bëri komentet në Beograd në një takim me Presidentin serb Vojislav Kostunica.

Zyrtarë serbë njoftuan sot se zoti Grossman tha gjithashtu se Washingtoni është i hapur për diskutimin mbi decentralizimin në Kosovë. Zoti Grossman ishte dje për një vizitë në Kosovë.

Ndërkohë, organizata më e lartë për sigurimin në Evropë ka publikuar një raport ku rekomandon ndryshime në sistemin gjyqësor të komunave në Kosovë që do të ndihmojë në garantimin e paanshmërisë dhe efektivitetit.

Raporti i botuar sot në Prishtinë nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë e quan punën e gjykatave të komunave si tepër të rëndësishme për vendosjen e drejtësisë dhe të rendit.

Raporti vë në dukje se në sistemin gjyqësor të Kosovës janë grumbulluar shumë çështje që presin të gjykohen dhe thekson nevojën që ato të përfundojnë brenda një kohe të arësyeshme. Raporti rekomandon gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit midis gjykatave dhe prokurorëve.

Gjithashtu raporti thekson nevojën e zhvillimit të gjykimeve publike dhe të paanëshme dhe vë në dukje rëndësinë e garantimit të të drejtës për të marrë në pyetje dëshmitarët e palës kundërshtare.

Grupi publikoi raportin si pjesë e një projekti të përbashkët me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për të zgjidhur problemet e policisë dhe drejtësisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG