Personi i sapoemëruar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Havier Solana si përfaqësues personal në Prishtinë, mori pjesë dje në një konnferencë për Ballkanin Perëndimor këtu në Washington, pak orë pasi u publik vendimi për emërimin e tij. Italiani Fernando Gentilini është aktualisht kreu i zyrës së Ballkanit në Ministrinë e Jashtme italiane.
Ai tha për Zërin e Amerikës, në deklaratën e parë në detyrën e re, se emërimi i tij si përfaqësues personal i zotit Solana, do të thotë që Bashkimi Evropian synon të forcojë praninë e tij në terren dhe të bashkëpunojë me aktorët e tjerë të përfshirë si edhe me partnerët vendorë, në mbështetje të plotë të UNMIK-ut dhe KFOR-it.
Emërimi i tij bëhet ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, pas ngjarjeve të 16 dhe 17 marsit, kanë ritheksuar angazhimin e tyre në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Në konferencën e djeshme, Daniel Serwer i Institutit të Paqes tha se ka ardhur koha që zyrtari më i lartë civil në Kosovë të jetë një amerikan. Ndërsa analistë të tjerë diskutuan mbi mundësitë për përmirësimin e gjendjes dhe për nevojën e një shprese për një status përfundimtar.
Steve Larrabee, specialist për çështjet e Sigurisë Kombëtare në organizatën Rand, propozoi si një nga zgjidhjet që UNMIK-u të drejtonte Kosovën ndoshta për një periudhë nga pesë deri në shtatë vjet dhe pastaj t’i japej Kosovës një pavarësi e kushtëzuar, nëse ajo plotëson disa kushte, si për shembull krijimin e kushteve për të vendosur shtetin ligjor dhe garantimin e të drejtave të pakicave.
“Avantazhi i kësaj zgjidhjeje është se së pari do t’u jepte shqiptarëve të Kosovës, perspektivën politike që u ka munguar deri tani dhe do të zbuste mundësinë për radikalizim dhe njëkohësisht do të linte kohë për zhvillimin e institucioneve dhe po ashtu do të jepte kohë për negociata mes shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë serbe”, tha ai.
Stefan Lehne, drejtor i Ballkanit Perëndimor, Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore në Këshillin e Bashkimit Evropian tha se vendosja e afatit për plotësimin e standardeve në vitin 2005, që u deklarua nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Marc Grossman në fund të vitit të kaluar, ishte diskutuar për disa muaj me Bashkimin Evropian.
“Nëse afati për standardet është i mjaftueshëm, shqyrtimi i tyre mund të bëhet më herët, nëse jo mund të bëhet më vonë. Kemi elasticitet në këtë drejtim. Askush nuk kërkon zbatim absolut e të përkryer për të gjitha standardet. Është një gjykim politik që do të bëhet duke ndjekur gjendjen në rajon, në terren”.
Ndërsa Paul Williams, analist pranë Universitetit Amerikan thotë se duhet bërë kalimi i kompetencave në duart e shqiptarëve. “Shtetet e Bashkuara duhet të lënë Bashkimin Evropian të zbatojë një plan për të përshpejtuar kalimin e kompetencave nga UNMIK tek Kosova, të zëvendësojë pas një viti UNMIK-un me një organizatë ndërkombëtare, të fillojë të shqyrtojë masat që duhen marrë për statusin përfundimtar dhe të nxirret një deklaratë ku të thuhet se pushteti serb nuk do të kthehet në Prishtinë. E gjitha kjo duhet bërë në kontekstin e shpërblimit të të moderuarve dhe jo radikalëve”, tha ai.
Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën e përmirësimit të gjendjes ekonomike, sidomos trajtimin e problemit të papunësisë së lartë, si rrugë për stabilizimin e gjendjes.//kk//