Fëmijët po përdoren si bomba njerëzore nga terroristët palestinezë. Më 24 mars, një djalë i cili mendohet se është 16-vjeç, u dërgua në një mision vet-vrasës. Djali, i quajtur Husam Abdo, u ndalua në një postbllok të ushtrisë izraelite në afërsi të qytetit Nablus. Ai kishte veshur një jelek me lëndë plasëse me peshë afro 9 kilogramë.
Për fat të mirë, bomba që kishte Husami u çaktivizua pa shkaktuar dëme. Por shumë palestinezë kanë reaguar me zemërim ndaj shfrytëzimit të një fëmijë për qëllime vrasëse. “Përse nuk na lënë rehat,” tha nëna e djalit, Tamam Abdo. “Ai është i ri. Duhet të jetë në shkollë. Dikush i bëri trysni,” tha ajo.
Shfrytëzimi i fëmijëve dhe nënave të reja nga terroristët palestinezë është shndërruar në një praktikë shqetësuese. Në janar, një djalë shtatëmbëdhjetë vjeçar vdiq, kur brezi i tij me lëndë plasëse shpërtheu para kohe. Disa ditë më pas, grupi terrorist Hamas dërgoi një 22-vjeçare, nënë e dy fëmijëve të vegjël, të kryente një sulm vetvrasës në një pikëkalimi nga Gaza për në Izrael. Ky sulm shkaktoi vdekjen e katër izraelitëve. Në fillim të këtij muaji, dy 18-vjeçarë kryen shpërthime vetvrasëse në postin izraelit të Ashdodit, duke shkaktuar vdekjen e 10 izraelitëve. Më 16 mars, trupat izraelite ndaluan një djalë 11-vjeçar, i cili me sa duket po përpiqej të kalonte kontrabandë lëndë plasëse përmes të njëjtit postbllok ku u kap Husam Abdo.
“Shfrytëzimi i fëmijëve për të kryer ose për të ndihmuar në kryerjen e sulmeve të armatosura të çdo lloji është një akt i pështirë,” theksohet në një raport të ri të organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International. “Ne i bëjmë thirje udhëheqjes palestineze të dënojë publikisht praktika të tilla.” Udhëheqja palestineze duhet të frenojë aktet e të gjitha grupeve terroriste që veprojnë brenda kufijve të territorit të mbikqyrur prej saj, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Richard Boucher. “Ata njerëz nuk vrasin vetëm civilë të pafajshëm,” tha zoti Boucher. “Ata po vrasin edhe ëndrrat dhe shpresat e popullit palestinez. Duhet të ndalet dhuna në mënyrë që të arrihet vizioni i ekzistencës së dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, përkrah njëri-tjetrit.”
“Nëse palestinezët duan të shohin krijimin e shtetit të tyre,” tha presidenti George Bush, “ata duhet të eliminojnë rrjetet terroriste. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u kujtojnë atyre që duan paqen dhe janë të etur për liri në atë pjesë të botës, të bashkohen dhe të luftojnë ato pak elementë që duan të shkatërrojnë ambiciet e shumicës.” //ad//