Lidhje

31 ide për të kthyer marrëdhëniet e ngrohta mes fqinjëve - 2004-03-27


Qytetet e mëdha amerikane jane të rrethuara nga periferia, ku banojnë shumica e njerëzve. Këto zona janë kthyer në qyteza të vogla. Autorët e një libri të ri ofrojnë 31 ide se si ato të fitojnë përsëri karakteristikat e qendrave të ngrohta të banimit, ku qytetarët kanë marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin dhe komunitetin.

Dave Wann dhe fqinjët e tij kanë krijuar një lagje më vete në periferi të Denverit në shtetin Colorado, e cila përbëhet nga 27 familje që japin e marrin me njëra-tjetrën. Në këtë lagje ka një shtëpi takimi, një kopësht dhe një vend parkimi.

Lagja e Harmonisë, siç e quajnë ata, është frymëzuar nga një koncept evropian që siguron një ekuilibër ndërmjet jetës private dhe marrëdhënieve të ngushta me fqinjët.

Zoti Wann edhe më parë ka shkruar libra dhe prodhuar filma me subjekt komunitetin, ndërkohë që bashkautori tjetër i librit “Superbia”, Dan Chiras, ka shkruar mjaft mbi ruajtjen e energjisë. Përsëri zoti Wann:

“Disa nga periferitë e dikurshme krijonin oaze të qeta e në disa raste pa ndotjen e qyteteve e me trotuare e rrugica për të ecur përmes tyre. Në to kishte edhe shitore, por në qendrat e ndërtuara pas viteve ’50 nuk mund të shkohet askund pa automjet”.

Autorët hedhin ide që shkojnë nga letrat e përbashkëta të komunitetit dhe kopshtet për fëmijë deri tek heqja e ligjit që ndalon vendosjen e bizneseve në zonat e banuara.

“Në vitin 1926 ka patur një rast ligjor që sugjeronte ndalimin e fabrikave në zona të banuara, por gjithashtu përjashtonte praninë e dyqaneve. Tani kur shumë dyqane përdorin kompjutera, të kesh biznese në mëhallë do të ishte gjë e mirë, sepse do të hapeshin vende pune në lagje, gjë që do të pakësonte nevojën për të udhëtuar e do të ngjallte ekonominë e ngushtë lokale”.

Autorët sugjerojnë ngushtimin e rrugëve për të pakësuar dhe ngadalësuar trafikun e automjeteve duke e bërë kështu lagjen më të sigurtë për fëmijët që luajnë, dhe krijuar më shumë hapësira për pemë. Kjo, thonë ata, pakëson nxehtësinë në kohën e verës gjë që në Lagjen e Harmonisë ka bërë të mundur eleminimin e kondicionerëve.

Një rrugë e gjerë dhe pa hije pemësh e bën mjedisin dhjetë gradë më të nxehtë se sa po të ishte e ngushtë. Një rrugë e ngushtë, nga ana tjetër, ndikon pozitivisht në shtimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve”.

Dave Wann vëren se popullata në periferitë amerikane po bëhet gjithnjë e më e larmishme etnikisht. Ai shton se mplakja e popullatës dhe rritja e shqetësimeve në lidhje me mjedisin po shtrojnë nevojën e ndihmës dhe të shërbimeve lokale. Disa qendra periferike i kanë tashmë të ashtuquajturat ekipet e tyre ambjentaliste.

“Këto ekipe kursejnë energji, ujë dhe burime natyrore duke kontrolluar për shembull se çfarë dritaresh ke në shtëpi dhe si janë të puthitura ato, apo nëse e ke mbështjellur me batanije rezervuarin e ujit të nxehtë për të kursyer energji?”

Duke gërshetuar ide interesante me suksesin në praktikë, libri ”Superbia” synon të tregojë se si qendrat periferike mund të sigurojnë një jetesë më të këndshme.//kk//

XS
SM
MD
LG