Lidhje

Berisha: opozita kërkon jo bllokimin, por shpejtimin e reformave në Shqipëri - 2004-03-23


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ndodhet në Vjenë, për bisedime me zyrtarët e OSBE-së lidhur me çështjen e reformës zgjedhore në Shqipëri. Për të diskutuar lidhur me vizitën e tij, por edhe për çështje të politikës shqiptare në përgjithësi dhe mbi gjendjen në Kosovë, Zëri i Amerikës i mori zotit Berisha një intervistë telefonike nga Viena.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, cilat janë problemet që do të trajtoni në takimet me zyrtarët e OSBE-së?

Sali Berisha: Me zyrtarët e OSBE-së do të ndalem gjerësisht mbi situatën në Shqipëri, ku është instaluar një regjim tipik kleptokratik dhe mund të them se regjimi i Tiranës është aktualisht regjimi më kleptokratik i Evropës dhe ndër më kleptokratikët e planetit. Ky regjim, që bazohet në vjedhjen, shpërdorimin, abuzimin dhe ndarjen e përvetësimin e pasurive publike nga një grusht i vogël qeveritash dhe administrata, prej kaq vitesh nuk pranon më zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, gjë e cila është evidentuar tërësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ju, siç keni dijeni, në këtë kuadër, është ndërmarrë edhe lëvizje qytetare ”Nano ik!”, si një lëvizje, e cila synon t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë, synon t’u japë përgjigjen më të shpejtë dhe më të ngutshme, nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme, porblemit madhor të korrupsionit, që po rrënon çdo ditë shqiptarët, vendosjen e shetit ligjor dhe të barazisë para ligjit të qytetarëve shqiptarë, çbollikimin e procesit të integrimit që pothuajse është tërësisht i bllokuar. Në Vjenë, në takimet e mija, unë do të paraqes të gjithë opsionet e Partisë Demokratike dhe opozitës, sepse këtu jam bashkë me zotin Fatmir Mehdiu, mbi zgjidhjen e krizës së rëndë politike, ekonomikie, sociale, të gjithanëshme, që ka mbërthyer Shqipërinë. Mund të them se gjendja është realisht dramatike. Shqipëra është aktualisht një bombë sociale, në sensin që, mbi rreth 1 milionë qytetarë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Rritjet e fundit të çmimeve kanë bërë të padurueshme dhimbjet e jetës së përditshme. Mund të them se një pensionist, me pensionin e tij, një pension mesatar, dy të tretat të pensionit, i shkojnë energji elektrike, ose telefon, në qoftë se guxon ta përdorë. Pra, po kështu, buxhetorët me rroga të ulëta, le të papunët, që nuk mund të bëhet fjalë fare që të përballojnë jetën.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, pothuajse para çdo votimi, në Shqipëri është ndryshuar kodi zgjedhor e, megjithatë, përsëri, palët kanë patur kundërshtime në përfundim të procesit. A nuk mendoni se problemi i vërtetë nuk është kodi, por vullneti i klasës politike dhe veçanërisht i forcave kryesore politike në vend?

Sali Berisha: Jo, më falni, keni shumë të drejtë, por i forcave kryesore politike, sepse në çdo vend të botës, zgjedhjet organizohen nga qeveria dhe qeveria është përgjegjëse, sepse ai që ka pushtetin, ligjitimitetin e bazon vetëm në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo është shumë e vërtetë. Është mungesa e plotë e vullnetit politik të Fatos Nanos për të pranuar rotacionin dhe për të njohur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, që po mban tërësisht peng Shqipërinë. Unë, zonja Konda, kam deklaruar edhe dy vjet më parë, se nuk ka qenë faji i ligjit, por i vullnetit politik dhe në të vërtetë, pak a shumë të njëjtën gjë konkluduan edhe ekspertët e ODIR-it, kur thanë se:”Ndryshojmë në tërësi mendimin për këto zgjedhje për shkak të dhunimeve të përsëritura dhe se këto nuk ishin të detyruara nga teknikalitetet por të detyruara nga vullneti politik. Pra, ju keni të drejtë, nuk është kodi. Megjithatë, mund të them se në çdo vend reforma është një proces i vazhdueshëm. Kështuqë, ne jo vetëm që nuk dëshirojmë të bllokojmë procesin e reformave, por kërkojmë ta shpejtojmë atë në të gjitha fushat, përfshi edhe reformën elektorale, përfshi dhe ndarjen administrative të re të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju përmendët vetë se opozita ka ndërmarrë lëvizjen që ju e quani- Nano ik-, e cila synon largimin e socialistëve nga pushteti. Javën e kaluar Ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffrey deklaroi se mënyrat jo-parlamentare për të rrëzuar një qeveri janë të dëmshme, pasi të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe forca tjetër, kur ju për shembull, të jeni në pushtet. Ju mendoni se protesta e ndërmarrë nga opozita është rruga e duhur për arritjen e synimeve politike?

Sali Berisha: Është rruga e imponuar, por unë dua të qartësoj, se e kam takuar edhe ambasadorin dhe kam qartësuar, se lëvizja ”Nano ik”, nuk synon marrjen e pushtetit nga opozita. Lëvizja ”Nano ik” synon të garantojë për shqiptarët një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, pasi e kam theksuar dhe e përsëris, se asnjë lloj tjetër pushteti, përveç atij që vjen nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ne nuk njohim dhe nuk do të njohim. Kështuqë, ne nuk synojmë pushteti me këtë lëvizje, ne synojmë të vendosim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përsa i përket problemit, e vërteta është se në të gjitha kohërat, qeveritë kleptokratike nuk kanë ikur me votë, por kanë ikur me protesta dhe me lëvizje qytetare, kryesisht. Kështuqë, në këtë kontekst, kemi të bëjmë me një regjim, i cili bazohet tërësisht në paratë që grumbullon dhe që i shndërron në pushtet dhe në mandate. Pra, është krijuar në Shqipëri një rreth vicioz: pushteti krijon para, para të pista, realisht, paratë e pista-pushtet. Tani, kjo unë mund të them se nuk është mendimi im që në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje, por ekspertët ndërkombëtarë e kanë konfirmuar këtë në të gjitha zgjedhjet, nga ’97, deri më sot.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha cili do të ishte komenti juaj për ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë?

Sali Berisha: Unë i kam ndjekur me një shqetësim shumë të madh. Dhe unë kam dënuar me ashpërsi të madhe dhunën, por përveç kësaj, kësaj here duhet të them se ka patur një farë specifike tejet lënduese për ne shqiptarët: sulmi ndaj shtëpive të të tjerëve dhe sulmi ndaj institucioneve të kultit. E kam deklaruar dhe e deklaroj, për mua ky ka qenë një skenar, të cilin në rast se e kanë përgatitur serbët dhe e kanë ekzekutuar shqiptarët, shqiptarët janë dy herë fajtorë, ata që e ekzekutuan. Në rast se e ka organizuar tjetërkush, sërisht mbetet një skenar tmerrësisht i papranueshëm dhe që kishte një synim: për të ndarë Kosovë, ky është synimi. Mund të jetë edhe një farë forme nga ato të 1967-ës, reminishencë e djegjes së kishave dhe xhamive në Shqipëri. Cilado qoftë nga këto, ato janë akte të dënueshme. Unë i bëj thirrje shoqërisë kosovare, e cila është një shoqëri e bazuar në tolerancën, e bazuar në vlerat, qeveria ka marrë vendim të ndërtojë shtëpitë dhe mirë ka bërë; por ata ta kenë të qartë, se nuk janë muret, se nuk janë çatitë, ato që ndërtojnë bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis qytetarëve të Kosovës. Sikundër e kam theksuar më parë, përsëri e theksoj, është shumica, ajo që ka përgjegjësitë kyrsore për krijimin e ambjentit, ku respektohen tërësisht të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

XS
SM
MD
LG